Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KEDS e quan moment historik arritjen e marrëveshjes me "Elektrosever"-in

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe kompania “Elektrosever” kanë nënshkruar sot kontratën për normalizimin e shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

KEDS ka përmendur sfidat e kësaj marrëveshjeje ndërsa e ka quajtur moment historik arritjen e saj.

“Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik. Urime të gjitha palëve të përfshira që kontribuuan në realizimin e kësaj arritjeje. Tani, KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”- thuhet në njoftim.

KEDS ka njoftuar se kontrata ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”- thuhet tutje në njoftim.

Bashkimi Europian ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS dhe “Elektrosever”.

Sipas BE-së, ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për energjinë.

BE mirëpret nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektrosever

Zbatimi i marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të vendit ka kohë që ka ngecur. Kosova e akuzon palën serbe se janë duke mos zbatuar marrëveshjen e arritur.

Kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro.