BE mirëpret nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektrosever

Bashkimi Europian ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektrosever.

Sipas BE-së, ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015” – thuhet në njoftim.

Sipas BE-së, lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe dhe se kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar.

Tutje thuhet se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të Dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve.

Zbatimi i marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të vendit ka kohë që ka ngecur. Kosova e akuzon palën serbe se janë duke mos zbatuar marrëveshjen e arritur.

Kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro.

Lajçak njofton se u nënshkrua kontrata komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserver