Kandidati i LVV-së pyet Lutfi Hazirin: Cila politikë i solli qytetarët në pozitë që kryetari t'u ndihmojë me lëmoshë?

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka konsideruar si pjesë të fushatës zgjedhore vendimin e kryetarit aktual Lutfi Haziri, që me paratë e fushatës të ndërtojë një shtëpi për familjet skamnore.

Sipas Hysenit, kryetari punën primare nuk e ka lëmoshën por, sipas tij, drejtimin politik që rregullon parakushtet në mënyrë që të mos ketë nevojë për lëmoshë askush.

Ai në një prononcim për KALLXO.com tha se në momentin që ndihma deklarohet, atëherë, ajo pastaj bëhet fushatë.

“Fushata do të duhej të ishte shpalosje e zotimeve para qytetarëve dhe jo ndonjë luks. Në anën tjetër pse vetëm në vitin 2021 ky reflektim i kryetarit? A nuk kishte të varfër Gjilani deri tash? Dhe cila politikë i solli qytetarët në atë varfëri që kryetari t’u ndihmojë me lëmoshë?”, tha Hyseni.

Sipas tij, duhen politikanë që bëjnë zgjidhje sistematike që të mos ketë nevojë askush për lëmoshën e askujt.

Në anën tjetër, i pyetur nëse partia e tij – LVV ka bërë ndonjë sondazh për të parë se si i kanë gjasat në këtë komunë, Hyseni tha që matja më reale janë rezultatët e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Matje e fundit dhe reale është ajo e 14 shkurtit. Sigurisht që zgjedhjet lokale dhe nacionale kanë dallime dhe specifika të veçanta. Por, parimisht duhet kuptuar që përkrahja e besimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në komunën e Gjilanit është i madh! Edhe matjet e bëra deri më tani nuk reflektojnë gjendjen reale sepse parakushtet për matje të tilla nuk kanë qenë”, tha ai.

Ndër të tjera, kandidati i LVV-së për garën në Gjilani shtoi se fushata e tij në këtë komunë do të zhvillohet duke respektuar masat anti-COVID-19, pasi sipas tij, shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se fushata.

Të martën, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar në ATV se nuk do të bëjë fushatë zgjedhore pasi tha se i konsideron si ‘të mërzitshme e me harxhime’ fushatat zgjedhore.

Haziri ka thënë se me fondet e parapara për fushatë do të ndërtojë një shtëpi për familje skamnore.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor.

Vetëbesimi i LDK-së: Synojnë fitoren me duar në xhepa e pa fushatë