Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vetëbesimi i LDK-së: Synojnë fitoren me duar në xhepa e pa fushatë

“Do të bëjë zgjedhje pa fushatë”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili po synon një mandat të tretë për të qeverisur më këtë komunë.

“Do të bëjë zgjedhje pa fushatë meqë perceptimi publik dhe matja e opinionit publik në Gjilan më ka dhënë atë privilegjin dhe atë vlerë me pasë vlerësim pozitiv pas krejt këtij shërbimi, e un do të bëjë zgjedhje pa fushatë”, ka thënë Lutfi Haziri në një intervistë në ATV.

Një deklaratë të ngjashme e “aspak të lehtë” për kundërkandidatët e kishte dhënë edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në vitin 2012, kur synonte të fitonte zgjedhjet e 2013-tës në Komunë e Prishtinës.

“Jam shumë i sigurt që edhe nëse i shtijmë duart në xhepa deri në fund të vitit të ardhshëm dhe nuk punojmë asgjë, prapë do ta fitonim Prishtinë”, pati deklaruar Isa Mustafa më 8 gusht të vitit 2012 në një intervistë për Radio Dukagjinin.

Mirëpo në zgjedhjet e 1 dhjetorit të vitit 2013 në balotazh ‘me duar në xhepa’, Isa Mustafa humbi ndaj kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

I pyetur se a është duke vepruar si Isa Mustafa në 2012 kur deklaronte se “Prishtinën e fiton me duar në xhepa”, Haziri tha se është duke e bërë të kundërtën.

“Jo e kundërta…përkulje e përgjegjësi ma e madhe ndaj besimit qytetarë. Kam me i taku derë për derë e me fol me ta. Vullneti është i tyre dhe për mua është suprem-qytetari!”, tha Haziri për KALLXO.com.

Përderisa Haziri mendon se Gjilanin mund ta fitoj pa fushatë pasi që sipas tij ‘fushatat janë të shtrenjta dhe të mërzitshme’, kundër kandidatet e tij nga kjo komunë kanë deklaruar se do të bëjnë fushatë.

Nazim Gagica, kandidat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka dashur të komentoj deklaratat e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në një prononcim për KALLXO.com, Gagica i cili është edhe drejtor i Arsimit në këtë komunë ka thënë që pavarësisht vendimit të kundër kandidatit të tij, ai do të zhvillojë fushatë.

“Nuk u përgjigjem deklaratave të kandidatëve, unë do të bëjë fushatë, ta prezantoj programin tim para qytetarëve, do të prezantojmë vlerat tona të këshilltarëve, subjektit dhe me to do të garoj”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kundër kandidaten e Hazirit, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Leonora Morina Bunjaku, mirëpo e njëjta ka qenë e pa qasshme përmes telefonit.

Gani Neziri, i cili është kandidat i pavarur në një prononcim për KALLXO.com, deklaratën e Lutfi Hazirit e ka konsideruar ‘humor modern politik’.

Lutfi Haziri mandatin e parë për të qeverisur me Gjilanin e kishte marrë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke fituar 59,99%, duke lënë mbrapa Qemajl Mustafën nga PDK.

Në zgjedhjet e viti 2017, gjilanasit ia kishin besuar edhe një mandat Hazirit, ai në balotazh me kundër kandidatin nga LVV, Sami Kurteshin kishte marrë  63,81% të votave.

Ndërsa paratë të cilat ka planifikuar ti shfrytëzoj për fushatën e zgjedhjeve të 17 tetorit, Haziri ka thënë se do të blejë një shtëpi për familjet skamnore.

“Krejt ato që mendoj që më bien në përgjegjësi përveç PR edhe rrjeteve sociale edhe brendingun që e bënë partia, pjesën tjetër, mjetet që kom mëndu me i shti në fushatë si kandidatët e tjera, kamë mëndu që me ndërtu një shtëpi për një familje ose me ja ble një banesë”, kishte thënë Haziri para pak ditëve në Televizionin ATV.

Në një prononcim për KALLXO.com, Haziri nuk ka dhënë detaje sesa është vlera e parave që i ka parave të para për këtë fushatë.

“Ende nuk ka filluar fushata pos procesit zgjedhor. Pas 17 shtatorit do te kemi planet dhe angazhimet. Po ashtu edhe planifikimet financiare sipas ligjeve. Unë do te jem dhe zhvilloje zgjedhje pa fushatë që nënkupton pa harxhime. Mjetet dedikohen familjeve me nevoje sociale”, tha ai.