Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për Podujevën tregojnë nëse janë vaksinuar kundër COVID-19 

Kandidati nga radhët e Nismës Socialdemokrate për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani në Debat Pernime tha se nuk është vaksinuar kundër COVID-19 me arsyetimin se nuk ka pasur terminë të lirë dy javë më parë dhe se e ka caktuar termin këtë muaj.

Kurse, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se e ka kaluar COVID-19 dhe është vaksinuar me të dyja dozat.

Edhe Gazmend Islami, kandidat i Organizatës Balli Kombëtar Demokrat për kryetar të Komunës së Podujevës bëri të ditur se qysh në fillim e ka kryer Coronavirusin dhe më pas është vaksinuar më të dyja dozat.

Të dy dozat e vaksinës tha se i ka marr edhe Floretë Zejnullahu, kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Podujevës. Gjithashtu, kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se është vaksinuar.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Podujevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Podujevës, Besnik Tahiri nga AAK, Floretë Zejnullahu nga PDK, Gazmend Islami nga OBKD, Shpejtim Bulliqi nga LVV, Xhemajl Hasani nga Nisma.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Podujevës: Adelina Stublla nga LVV, Albana Talla nga AAK, Antoneta Ejupi nga PDK, Arjeta Fetahu nga OBKD, Flakë Ajeti nga PDK, Lirika Maliqi nga LVV, Lirika Humolli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.