Kadrijaj - Nagavcit: Një shkelëse e Kushtetutës nuk ka të drejtë me qenë ministre

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj i është drejtuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci si shkelëse e Kushtetutës.

Sipas deputetes Time Kadriaj, pas vendimit të gjykatës Kushtetuese, ministrja Nagavci është dashur të jep dorëheqje.

“Na kemi mbajt me vite të tëra ligjërata, dhe sot ligjërata e ministres e cila është shkelëse e kushtetues, një shkelëse e kushtetues nuk ka të drejtë me qenë ministre, dhe nuk ka të drejtë më dal me ligjërua para deputetëve. Ajo moralisht prej momentit që gjykata kushtetuese është thënë që ka shkel Kushtetutën është dashtë më shkua në shpi, me pru një ministre që nuk e ka shkel Kushtetutën”-  ka thënë Kadrjiaj.

Këto deklarata ajo i ka bërë sot në seancën plenare të Kuvendit ku është debatuar për grevën e sindikatave në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese në prill të 2022-ës e pati ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

Gjykata kushtetuese citon se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të kryetarit të Komunës, ndër tjerash, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Në atë kohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte konstatuar se vendimet përkatëse ishin në përputhshmëri me ligjet përkatësisht kompetencat vetanake të komunave.

Por disa prindër të nxënësve kishin refuzuar zbatimin e këtyre vendimeve dhe kishin kontestuar të njëjtat përmes konfliktit administrativ, duke kërkuar edhe nxjerrjen e masave të përkohshme me qëllim të pezullimit të zbatimit të vendimeve të Komunës.