Jakup Krasniqi do të jetë i pranishëm në seancë gjyqësore pavarësisht sfidave shëndetësore

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi pritet të ndjekë sesionin e pasdites, ndërsa po gjykohet në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka konfirmuar se Krasniqi do të jetë i pranishëm në seancën e sotme, edhe pse avokatja e tij ka njoftuar se ai nuk ndjehet mirë dhe nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë në sallë për një kohë të gjatë.

“Zotëri Krasniqi nuk ndihet shumë mirë për momentin, mendoj se mund të qëndrojë edhe pak por do të na thotë nëse ka nevojë të largohet dhe nëse na lejohet që të largohet,”- ka deklaruar avokatja e tij, Venkateswari Alagendra.

Jakup Krasniqi po gjykohet për krime lufte dhe dëshmitarja e mbrojtur ka vazhduar të intervistohet  ndërsa seanca e stome vijon të mbahet e mbyllur për publikun.

Ndryshe, të martën dhe të mërkurën, dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe mbrojtjes.

Deklarimi i dëshmitares është bërë në seanca tërësisht të mbyllura për publikun, kjo me qëllim të mos zbulimit të identitetit të tyre.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Prokuroria pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.