Suspendohet shefi i specialëve të Mitrovicës Veriore

Inspektorati Policor i Kosovës në përgjigjet dhënë për KALLXO.com ka thënë se kanë rekomanduar suspendimin e Uglesha Jarediq nën dyshimin se ka kryer veprën penale të dhunës në familje.

IPK tregon se gjatë ditës së djeshme kishin pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se një zyrtar policor në Mitrovicën e Veriut dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Në përgjigjet e IPK-së, thuhet se menjëherë pas pranimit të informacioneve kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Të njëjtit për shkak të dyshimit të bazuar kanë rekomanduar edhe suspendimin e Jarediq, ndërsa rasti është duke u hetuar tutje në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

KALLXO.com raportoi për suspendimin e Shefit të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, Jarediq kishte dërguar mesazhe shqetësuese te ish-bashkëshortja e tij.

Kjo e fundit pas këtyre mesazheve të cilat i kishte konsideruar si kanosje e kishte lajmëruar Jarediqin në Policinë e Kosovës.

Rasti në prokurori është iniciuar se dhunë në familje.

Në anën tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani në një bisedë përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se janë duke u ndërmarrë veprime dhe prokurori i rastit është duke punuar në koordinim me IPK.

Shefi i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Mitrovicën Veriore supsendohet nën dyshimet se ka shqetësuar me mesazhe ish-bashkëshorten e tij