Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Shefi i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Mitrovicën Veriore supsendohet nën dyshimet se ka shqetësuar me mesazhe ish-bashkëshorten e tij

Uglesha Jarediq, shef i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës, Stacioni në Mitrovicën Veriore, është suspenduar nga puna mbrëmjen e kaluar.

Suspendimi për të është vendosur për 72 orë. Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, Jareqid po dyshohet për dhunë në familje.

Deri te suspendimi erdhi pas një raportimi që e kishte bërë ish-bashkëshortja e tij në polici.

Ajo kishte deklaruar se Jarediq po e shqetësonte me disa mesazhe në telefon. Tutje siç thonë burime të KALLXO.com, Jarediq i kishte dërguar disa mesazhe me përmbajtje shqetësuese dhe të kanosjes ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë në Mitrovicë.

Kryeprokurori Ismet Ujkani tha për KALLXO.com se rasti është hapur fillimisht dhunë në familje, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës është duke e hetuar rastin.

Ai shtoi se varësisht nga gjetjet e IPK-së do të veprohet tutje nga prokurori i rastit.