Protesta kundër festivalit "DokuFest" në Prizren, 11 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

IPK fillon grumbullimin e provave se si u menaxhua protesta në Prizren nga Policia

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe video-incizimeve lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren.

“Duke iu referuar kërkesës suaj rreth angazhimeve të Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren, IPK ju konfirmon se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe video-incizimeve lidhur me këtë rast” – thuhet në një përgjigje të IPK-së për KALLXO.com.

Inspektorati Policor thotë gjithashtu se ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës.

“Përveç këtyre veprimeve, IPK ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës. Veprimet e tjera do të ndërmirren varësisht nga të gjeturat dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”- thuhet tutje në përgjigje.

Policia në Prizren ka konfirmuar se është arrestuar një i dyshuar lidhur me sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të “Gazetës Nacionale” sot në Prizren gjatë protestës së thirrur kundër festivalit “DokuFest”.

“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të jap më shumë informacione”-ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi ka shtuar se me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

VIDEO – Protestohet kundër festivalit ‘DokuFest’ në Prizren, sulmohen gazetarët