Protesta kundër festivalit "DokuFest" në Prizren, 11 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

VIDEO - Protestohet kundër festivalit ‘DokuFest’ në Prizren, sulmohen gazetarët

Është mbajtur të premten protesta e thirrur në Prizren, kundër festivalit të filmit “DokuFest”, me thirrje “kundër degjenerimit”, pas performancës së mbajtur në këtë festival javën e kaluar në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë protestës u sulmua edhe një ekip i gazetarëve i gazetës Nacionale, derisa, KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tenton t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Protesuesit u mblodhën në sheshin e qytetit “Shatërvan”, afër xhamisë së “Sinan Pashës”.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Pro kulturës jo degjenerimit”, “Jo financimit të nudizmit me parat tona”, “Pro familjes së shëndoshë, jo degjenerimit”.

Imami nga Prizreni, Burim Shpejti iu drejtua protestuesve duke thënë performanca në “DokuFest” ishte “perverse e erotike”.

Protesta kundër festivalit “DokuFest” në Prizren, 11 gusht 2023

“Festivali në fjalë, në fillet e saja barti idenë e promovimit të filmave të metrazhit të shkurtë dokumentar, por vite më pas evoluoi edhe në organizime tjera dhe së fundi kulmoi me performanca publike, perverse e erotike”- tha ai.

Shpejti thjeksoi se performanca e shfaqur “nuk përkon assesi” me traditën dhe kulturën e tyre.

“Edhe nëse organizatorët, ahengjet e netëve të vona me dehje alkoolike, e mpirje narkotike të të rinjve i quajnë argëtim, kurse performancat perverse, erotike, i quajnë kulturë, ata nuk janë asgjë tjetër vetëm se degjenerim”- tha Imami gjatë protestës.

Ai është shprehur se nuk e përkrahin formatin e këtij viti të “DokuFest”-it.

“Padyshim jemi të vetëdijshëm për ndikimin turistik që sjell një organizim i tillë, por ashtu ka edhe shumë organizime edhe festivale tjera në Prizren që njashtu sjellin turizëm. Sido që të jetë, rreziku i degjenerimit nuk arsyeton asnjëherë asnjë përfitim material e prestigjioz, nuk ia vlenë”, ka thënë ai.

Imami u ka bërë thirrje mbështetësve të festivalit të mos vazhdojnë të bëjë një gjë të tillë duke kërkuar që “të jenë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm gjatë aprovimit të këtyre aktiviteteve dhe të kërkojnë informata shtesë dhe dëshmi për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”.

“Nëse kërkesa e protestës sotme has në vesh të shurdhër, ne do të qasemi me modele tjera demokratike, me shpresë që kërkesat tona të mos neglizhohen”, tha imami nga Prizreni, duke apeluar me brohoritje, “Po kulturës, jo degjenerimit”.

Në anën tjetër, nga festivali “DokuFest” kanë thënë për KALLXO.com se performanca nuk është mbajtur në hapjen zyrtare të festivalit dhe në të nuk ka pasur qasje askush pa biletë.

Sipas tyre, ngjarja ishte mbajtur në hapësirën e mbyllur brenda parkut të Marashit, pas orës 1:30 të natës dhe vetëm për një audiencë mbi 18 vjet.

“Duke i zbatuar të gjitha këto masa paraprake ne jemi të bindur se kemi siguruar kushte optimale për mbarëvajtjen e koncertit, andaj aludimet dhe shpifjet se në atë koncert ka pasur fëmijë nuk qëndrojnë dhe në të njëjtën kohë e bëjnë arsyen për thirrje të protestës të paqëndrueshme, sipas mendimit tonë”, kanë thënë nga “DokuFest”.

Ata janë shprehur se e kuptojnë që mund të ketë mospajtime rreth aspektit artistik të ngjarjeve në festival, por konsiderojnë se jetojnë në një vend të lirë dhe demokratik ku liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë.