Foto: Ilustrim

Inspektimi i IPK-së: Policia në Prishtinë nuk ka asnjë të dhënë për të ndaluarit për dhunë në familje për vitin 2020

Inspektorati Policor i Kosovës ka gjetur se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë nuk ka asnjë person të evidentuar si të ndaluar gjatë vitit 2020 nën dyshimet për dhunë në familje.

Inspektimi i jashtëzakonshëm i IPK-së se si po trajtohen rastet e dhunës në familje nga ana e zyrtarëve policorë ka vënë në pah disa shkelje të cilat janë bërë në trajtimin e këtyre rasteve.

Rasti i vrasjes mizore të 18-vjeçares, Marigona Osmani nga Ferizaj, e cila ishte dërguar në emergjencë pa shenja jete, ka bërë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të kërkojë nga Inspektorati Policor i Kosovës të inspektojë trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga ana e zyrtarëve policorë.

Ky inspektim është cilësuar si i jashtëzakonshëm dhe ka dalë në përfundime se në disa raste janë neglizhuar procedura nga ana e zyrtarëve policorë në rastet e dhunës në familje. Rastet e inspektuara janë të vitit të kaluar dhe ato të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

IPK në raportin e publikuar ka thënë se ka qenë e interesuar që të analizojë edhe të dhënat statistikore mbi numrin e të ndaluarve për dhunë në familje por nuk ka arritur për shkak se nuk ka informacion për këtë çështje.

Në DRP-Prishtinë, sipas IPK-së, për vitin e kaluar ka statistika vetëm për numrin e të arrestuarve.

Gjatë këtij viti, sipas IPK-së, Policia e Kosovës ka filluar që të pasqyrojë edhe numrin e të ndaluarve për rastet e dhunës në familje.

Në total Policia e Kosovës ka regjistruar gjithsej 303 të ndaluar si të dyshuar për dhunë në familje por Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë nuk ka asnjë të evidentuar si të ndaluar gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë kontrollit të dosjeve, inspektorët kanë hasur se në disa prej dosjeve të DRP- Prishtinë janë evidente informatat mbi personat e ndaluar por edhe aktvendimet mbi ndalimet”, thuhet në raportin e inspektimit të IPK-së.

Tutje në të njëjtin raport thuhet edhe se kjo gjetje mund të vërë në mëdyshje besueshmërinë e informatave të pasqyruara në raportet periodike.

“IPK-ja rekomandon mbikëqyrësit e ekipeve për hetime të veprave penale dhunë familjare dhe delikuencë të të miturve dhe udhëheqësve të ekipeve të hetimit të dhunës në familje në kuadër të stacioneve policore, që të sigurohen se informacionet e pasqyruara në raportet periodike të jenë të plota dhe të sakta sa i përket ngjarjeve që lidhen me dhunën në familje në mënyrë që ato të jetë në bazuara dhe të besueshme”, thuhet në raportin e inspektimit.

Në po të njëjtin raport, IPK ka inspektuar edhe rastet për mbikëqyrje dhe zbatim të masave mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje.

Në këtë rast, stacioneve policore u është kërkuar informacion lidhur me realizimin e vizitave nga ana e zyrtarëve policorë për viktimat e dhunës në familje që kanë pasur edhe urdhër mbrojtje.

“Sipas drejtuesve policorë, sa herë ka urdhër mbrojtje nga Gjykata, viktimat kontaktohen nga hetuesit primar apo sekondar të ngarkuar me trajtimin e rastit si dhe viktimave u lihet në dispozicion numrat kontaktues në mënyrë që të kontaktojnë sa herë të kenë nevojë”, thuhet në raport.

IPK ka gjetur edhe se për shkak të numrit të pamjaftueshëm të zyrtarëve policorë është e pamundur që të realizohen vizita të vazhdueshme për viktimat e dhunës në familje për të cilat ka urdhër mbrojtje.

“Në disa stacione policore ku deklarojnë se realizojnë vizita të kësaj natyre nuk është hasur në formularë që argumentojnë prezencën policore në vizita të viktimave të dhunës në familje. Policia duhet të shtoj aktivitetet duke angazhuar personel për mbikëqyrje të vazhdueshme e efektive për zbatimin e urdhrave mbrojtës për viktimat e dhunës”, thuhet në raport.

IPK ka rekomanduar që vizitat të viktimat e dhunës në familje që kanë urdhër mbrojtje të evidentohen, argumentohen dhe të nënshkruhen nga viktimat dhe zyrtarët policorë që realizojnë vizitat.

Në vitin 2020 janë raportuar 2 mijë e 69 raste të dhunës në familje. Viktima në marrëdhënie bashkëshortore sipas statistikave janë 937 persona.

Regjioni me rastet më të shumta të dhunës në familje është Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.

Grupmosha më e goditur e viktimave të dhunës në familje konsiderohet se janë ata të moshës nga 20 deri në 30 vjet.

Sipas inspektimit të IPK-së për reagimin e zyrtarëve policorë në rastet e dhunës në familje ka dalë se është 13.5 minuta. Kjo është testuar në 111 mostra. Reagimi sipas IPK-së konsiderohet se është brenda limiteve.

Në nivel të përgjithshëm IPK ka nxjerrë edhe indikatorë që tregojnë se në vitin e kaluar Policia ka arrestuar të dyshuarit në 44.2 për qind të rasteve.

Vetëm për vitin 2020, nga 674 raste të dhunës në familje të raportuara në Prishtinë, 273 persona janë arrestuar. Në Gjilan nga 213 raste të raportuara janë arrestuar 79 të dyshuar, në Ferizaj nga 206 raste janë arrestuar 41 të dyshuar, në Gjakovë numri i të arrestuarve për dhunë në familje është më i lartë se rastet në total. Nga 239 raste të raportuara Policia ka arrestuar 261 të dyshuar.

Në Pejë vitin e kaluar janë evidentuar 264 raste të dhunës në familje ndërsa janë arrestuar 104 të dyshuar, në Prizren janë raportuar 266 raste ndërsa janë arrestuar vetëm 19 persona ose numri më i vogël i të arrestuarve në raport me rajonet e tjera.

Në Mitrovicën e Jugut janë evidentuar 140 raste dhe janë arrestuar 74 të dyshuar ndërsa në Mitrovicën e Veriut janë raportuar 67 raste, 63 persona janë arrestuar.