Incidenti me armë në Prishtinë, Policia ka identifikuar të dyshuarit

Një incident dyshohet të ketë ndodhur në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës.

Tre persona dyshohet se janë plagosur me armë zjarri, e Policia ka ndërmarrë veprime për kapjen e dy të dyshuarve, të cilët janë identifikuar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00.

“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen“- ka deklaruar Ahmeti.

Tutje Ahmeti ka thënë se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”- shtoi zëdhënësja e Policisë.