Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ibishi: Armatimet i grupit të armatosur janë përdorur në kohën e ish-Jugosllavisë
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar ngjarjet e fundit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vdekur rreshteri, Afrim Bunjaku.
Ibishi tha se pajisjet ushtarake të përdorura dhe të sjellura nga grupi i armatosur janë pajisje ushtarake që janë përdorur nga grupet në ish-Jugosllavi dhe tash së fundi në Ukrainë.
Ai theksoi se grupi i armatosur ka pasur mundësi të lëviz lehtë nga Serbia në Kosovë për shkak të rrugëve malore dhe afërsisë së kufirit.
“Rrugët janë shumë të mira, nuk janë të asfaltuara por janë rrugë të kalueshme sidomos për këto makina që jemi duke i parë” – tha ai.
Ibishi tha se konsideron se gjendja e sigurisë në veri asnjëherë nuk ka qenë më e mirë por që statusi siç e quajti ai zyrtar-policor mbetet i pazgjedhur.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë. Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.