I plagosuri në Pejë, familjar i ish-kryeministrit Haradinaj

Njëri nga të plagosurit në incidentin e sotëm në Pejë është Mustafë Ahmetxhekaj, familjar i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

KALLXO.com mëson se Ahmetxhekaj është nip i familjes Haradinaj, saktësisht nip i babait të Ramush Haradinaj, të ndjerit Hilmi Haradinaj.

Sipas të dhënave të siguruara deri me tani Mustafë Ahmetxhekaj është plagosur me tre plumba në këmbë.

Sipas Besnik Ibraj, shefit të repartit të emergjencës në Pejë, Ahmetxhekaj është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 13:00 kemi pranuar dy pacientë të plagosur. Njëri ka qenë i plagosur me tre plagë shpuese, tejshpuese në regjionin e kofshëve dhe njëri në regjionin e gjurit. Njërit nga pacientët i janë trajtuar plagët dhe për shkak të ekzaminimeve të tjera shtesë është dërguar për në QKUK”, ka thënë Ibraj për KALLXO.com.

Përpos Ahmetxhekajt në këtë incident mbeti i plagosur edhe një kalimtar rasti.

I dyshuari i këtij rasti është identifikuar nga Prokuroria e Pejës dhe i njëjti është vënë në kërkim.

Gjatë ditës KALLXO.com raportoi për plagosjen në Pejë e cila sipas informacioneve brenda organeve të rendit, ka nisur pas një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe njërit nga të plagosurit.

Kush është personi që u plagos me tre plumba në Pejë

.