Kush është personi që u plagos me tre plumba në Pejë

Dy persona janë plagosur gjatë ditës së sotme në Pejë. Njëri nga të plagosurit ka qenë kalimtar rasti ndërsa tjetri ka qenë cak i plumbave të shkrepur nga një i dyshuar i cili është duke u kërkuar nga policia.

Në lidhje me rastin KALLXO.com ka kontaktuar edhe spitalin Rajonal të Pejës ku janë dërguar të plagosurit.

Shefi i Repartit të emergjencës, Besnik Ibraj ka treguar se njëri nga të plagosurit ka marrë tri plagë nga arma e zjarrit.

“Rreth orës 13:00 kemi pranuar dy pacientë të plagosur. Njëri ka qenë i plagosur me tre plagë shpuese, tejshpuese në regjionin e kofshëve dhe njëri në regjionin e gjurit. Njërit nga pacientët i janë trajtuar plagët dhe për shkak të ekzaminimeve të tjera shtesë është dërguar për në QKUK”, ka thënë Ibraj për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se pacienti që ka qenë kalimtar rasti është plagosur në regjionin e shputës së këmbës së djathtë.

“Të dy janë jashtë rrezikut për jetë. Për në Prishtinë është dërguar pacienti i parë Mustafë Ahmetxhekaj”, shtoi Ibraj.

Gjatë ditës KALLXO.com raportoi për plagosjen në Pejë e cila sipas informacioneve brenda organeve të rendit, ka nisur pas një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe njërit nga të plagosurit.

I plagosuri në shputë të këmbës ka qenë kalimtar rasti dhe nuk ka qenë i involvuar në ngjarje.