I dyshuari për sulmin ndaj policëve në Leposaviq dhe bashkëpronari i laboratorit të drogës në veri, ende në arrati

Dushan Sllaviq i cili sipas policisë ka mbi 80 vepra penale, një ndër to është edhe ajo e sulmit ndaj zyrtarëve policorë në muajin e kaluar në Leposaviq ende është në arrati.

Burime të KALLXO.com tregojnë se i njëjti nuk është arrestuar në aksionin e djeshëm të policisë në veri të Mitrovicës, ku edhe u shkatërrua një laborator e në të cilin Sllaviq ishte bashkëpronar i tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë ditës së djeshme në Twitter tregoi se policia kishte shkatërruar dy laboratorë të drogës në Mitrovicën e Veriut ndërsa bashkëpronari i njërit nga laboratorët sipas tij ishte edhe Dushan Sllaviq, i cili dyshohet se sulmoi policinë në Bistricë të Leposaviqit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Njiazi Rexha, i cili tregoi se është duke pritur edhe kallëzimin penal nga ana e hetuesve policorë që hetuan rastin.

Ai tutje shtoi se dy persona janë arrestuar dje dhe njëri është në arrati.

Në lidhje me aksionin “Shpata” i cili u realizua në Mitrovicën Veriore, Policia njoftoi se në njërin laborator janë sekuestruar 566 bimë narkotike ndërsa në laboratorin tjetër 576 bimë narkotike të llojit kanabis të cilat janë shkatërruar në vendin e ngjarjes.

Bimët narkotike të mbjella në një laborator në Mitrovicën veriore

Tutje të njëjtit kanë njoftuar edhe se kanë konfiskuar një revole me katër karikatorë të mbushur, dy antiplumba, katër radiolidhje, një kombi dhe një DVR.

Njëri nga të arrestuarit në aksionin e policisë është vëllai i Dushan Sllaviq.

Kush është Dushan Sllaviq:

Dushan Sllaviq, 32 vjeçar, dyshohet se më 23 janar të këtij viti, së bashku me një person tjetër kishin sulmuar zyrtarët policorë në Bistricë, në Komunën e Leposaviqit.

Policia sipas një njoftimi në atë kohë kishte thënë se ishin detyruar që të gjuajnë me armë zjarri ndaj veturës pas sulmit.

Të njëjtit kishin konfirmuar se tashmë kishin arritur që të identifikonin dy persona si të dyshuar për këtë rast.

Njëri nga ta dyshohet se ishte Dushan Sllaviq.

I njëjti gjatë verifikimit për veprimtari kriminale kishte dalë se ishte i njohur për organet e rendit.

Dushan Sllaviq, sipas Policisë dyshohet të jetë i përfshirë në 80 vepra penale, në mesin e tyre vrasje, detyrim, kanosje, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, grabitje, madje ka të regjistruara edhe disa kundërvajtje.

Për Sllaviq, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi.

“Këto (bandat kriminale) janë të mbështetura dhe të mbrojtura nga Vuçiq, Petkoviq”- thuhet në një postim në Twitter të ministrit Sveçla.

Tutje ai shtoi se të njëjtit po përpiqen të destabilizojnë vendin me këto banda kriminale.

“Qeveria jonë do të vazhdojë të luftojë krimin në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe qytetarët, të cilët do të garantojnë siguri dhe shtet ligjor për të gjithë”- thuhet në postimin tjetër të Sveçlës.

Policia jep detaje se çka u sekuestrua në operacionin anti-drogë ‘Shpata’ në Mitrovicë të Veriut