Ilustrim

Incidenti në Leposaviq, Policia: Njëri nga të dyshuarit dyshohet për 80 vepra penale, tjetri për 17

Lidhur me incidentin që ka ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit, ku policët e Kosovës janë detyruar të hapin zjarr ndaj një veture, Policia ka dhënë detaje të reja për të dyshuarit.

Sipas Policisë, pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme janë identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen në veprimtari kriminale.

Në lidhje me të dyshuarin e parë, Dushan Slaviq, Policia ka treguar se ai dyshohet të jetë i përfshirë në 80 vepra penale, në mesin e tyre vrasje, detyrim, kanosje, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, grabitje, etj.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje” – thuhet në njoftim.

Sa i përket të dyshuarin tjetër, Millan Deleviq, Policia ka thënë se dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, përfshirë vrasje, shtrëngim, manipulim me prova, armëmbajtje pa leje, etj.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje” – thuhet në njoftim.

Sot, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture në Bistricë të Leposaviqit, në tentim për t’i neutalizuar.

“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën në fjalë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje është thënë se personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes..

Sveçla për incidentin në Leposaviq: Të dyshuarit kanë vënë në rrezik jetën e policëve