Laboratori i drogës në veri të Mitrovicës, më 12 shkurt 2023 Pamjet: Policia e Kosovës

Policia jep detaje se çka u sekuestrua në operacionin anti-drogë ‘Shpata’ në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona ndërsa ka zbuluar tre laboratorë të drogës dje në kuadër të operacionit policor, “Shpata” në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Policisë në njërin laborator janë sekuestruar 566 bimë narkotike ndërsa në laboratorin tjetër 576 bimë narkotike të llojit kanabis të cilat janë shkatërruar në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin, Policia thotë se janë konfiskuar një revole me katër karikatorë të mbushur, dy antipluma, katër radiolidhje, një kombi, dhe një DVR.

Policia e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në luftimin e aktiviteve kriminale në vend ndërsa theksoi se pas arrestimit të dy të dyshuarëve serb janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera policore në bashkëpunim me organet e tjera të drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shkroi se bashkëpronari i njërit laborator të shkatërruar kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar, ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe i vëllai i tij.

KALLXO.com mëson se bashkëpronari i një prej laboratorëve të drogës në veri, i përmendur nga ministri Sveçla vetëm me iniciale, është Dushan Slaviq 32-vjeçar, i dyshuar për mbi 80 vepra penale.

Muajin e kaluar, Slaviq dyshohet se ka qenë i përfshirë në një incident në Bistricë të Leposaviqit, ku u sulmua vetura me zyrtarë të Policisë së Kosovës, pasi të dyshuarit tentuan t’i shmangen postbllokut policor.

Për incidentin e 23 janarit në veri, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen në veprimtari kriminale.

Sipas policisë, i dyshuari i parë ishte Dushan Slaviq dhe se ai dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, në mesin e tyre vrasje, detyrim, kanosje, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, grabitje, etj.