Zvecan, protestuesit sulmojne gazetarin 31.05.2023

I arrestuari sot nga Policia, dyshohet për sulmin ndaj gazetarit të RTV 21 në Zveçan

Sot Policia e Kosovës ka arrestuar serbin Dalibor Spasiq i cili dyshohet për sulmet ndaj gazetarëve javëve të fundit në 4 komunat veriore.

KALLXO.com merr vesh se Dalibor Spasiq dyshohet se është në mesin e personave që më 31 maj ka sulmuar fizikisht gazetarin e Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi, gjatë përcjelljes së protestës në Zveçan.

Gazetarit Zatriqi fillimisht i ishte thënë të mos xhirojë e më pas protestuesit i kishin shkuar nga mbrapa duke e sulmuar në bark.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar sot gjatë ditës se Dalibor Spasiq është arrestuar në Jarinje.

“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic. Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës” – ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste” – ka shtuar tutje ai.

Ndaj arrestimit të Spaniq ka reaguar edhe Lista Serbe e cila e ka quajtur regjimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si “antiserb”.

Policia e Kosovës po ashtu të premten ka arrestuar edhe një person tjetër që dyshohet se ka sulmuar fizikisht ekipin e KALLXO.com në Leposaviq.

KFOR ka reaguar për sulmin e djeshëm ndaj gazetarëve në Leposaviq dhe për faktin që nuk kishte reaguar për të menaxhuar situatën. Sipas KFOR, Policia e Kosovës mbetet përgjegjës për sigurimin e ligjit në veri.

Policia e Kosovës të premten ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.