Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Humanizmi dhe solidariteti i kosovarëve gjatë vitit 2020

Në pjesën e dytë të emisionit të KALLXO.com po diskutohet për vullnetarizimin dhe solidaritetin e treguar gjatë vitit që po e lemë pas – 2020.

Në debat janë të ftuar Dajana Berisha – drejtoreshë e Forumit Iniciativa Qytetare e cila shpërndan edhe çmimet “Fides”, Burim Piraj – pronar i kompanisë “Meka”, Besart Kunushevci – Platforma Akademia dhe Flutur Latifi – Organizata Kosovare e Studentëve të Mjekësisë.

Krahas solidaritetit të shfaqur nga ana e qytetarëve të Kosovës në këtë vit pandemie dhe vitin e kaluar për tërmetin në Shqipëri, Dajana Berisha thotë se kosovarët janë më të vetorganizuar për të ndihmuar se sa shqiptarët në shtetin fqinj.

“Kam parë vitin e kaluar dhe këtë vit, dhe jam prekur prej ndjenjës së solidaritetit dhe të aftësisë për me u vetorganizu sidomos në Kosovë, në momente shumë kritike. Në këtë aspekt, qëndron shumë më lartë së Shqipëria kur vjen momenti për me u vetorganizu dhe solidarizu e ndihmu individë që janë të afektuar nga diçka”, tha ajo.

Dajana Berisha Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajo foli edhe për çmimin FIDES që kanë nda këtë vit për tri mikrobiologe në krye të detyrës: dr. Pranvera Abazi, dr. Donjeta Pllana dhe dr. Zana Kaçaniku për kontributin e tyre gjatë pandemisë.

Kurse në anën tjetër, Flutur Latifi njoftoi se kanë kryer aktivitete vullnetare që kanë të bëjnë me trajnimin e studentëve për t’u ndihmuar në ngritje profesionale dhe për çështje shëndetësore.

Ajo theksoi se e kanë pasur të vështirë të zhvillojnë aktivitete për shkak të situatës me COVID-19.

 

“Aktiviteti jonë është zhvillu për rezistenca agro-mikrobike, sepse është një problematikë globale. Kjo është kur, për shkak të përdorimit të pakontroll të antibiotikëve, bakteriet që shkaktojnë këto infeksione, ato bëhen rezistente ndaj antibiotikëve. D.m.th. është lufta për ekzistencë që e bëjnë bakteriet. Një faktor është përdorimi dhe përshkrimi jo i duhur. Kjo është një tematikë që ne si organizatë e kemi trajtu për një kohë të gjatë, edhe në pandemi, i kemi mbajtë online”, u shpreh ajo.

Flutur Latifi Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com