Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Fondacioni i Shoqërisë Civile përfundimisht fiton betejën për 'Shtëpinë e Shoqërisë Civile'

Gjykata e Apelit më datë 7 shkurt 2023, ka vendosur që ta vërtetoj vendimin e Gjykatës së Prishtinës, që hodhi poshtë padinë e paditësve Astrit Istrefi, Burim  Ejupi dhe Visar Azemi, lidhur me kontestin për Shtëpinë e Shoqërisë Civile e cila tanimë është funksionale.

Çështja përfundoi në Gjykatë kur tre nga bashkëthemeluesit e këtij fondacioni, Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi, kishin tentuar ta ndërrojnë përfaqësuesen ligjore të Fondacionit të Shtëpisë së Shoqërisë Civile, duke dërguar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike që të ndërrohej përfaqësuesja Dajana Berisha me një person tjetër të propozuar prej tyre më 31 gusht 2019. Kjo kërkesë u refuzua nga Ministria e Administratës Publike në atë kohë.

Pas vendimit të dy themelueseve dhe anëtareve të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, Dajana Berisha e Jeta Xharra për emërimin e tre anëtareve të rinj të bordit, paditësit i janë drejtuar Departamentit administrativ pranë Gjykatës së Prishtinës, për të kontestuar aktin e Ministrisë së Administratës Publike me të cilën ishte miratuar vendimi i themeluesve të Fondacionit për ndërrimin e anëtareve të Bordit të Drejtorëve.

Pas shqyrtimit të padisë së paditësve, Gjykata e Prishtinës kishte konstatuar se padia e paditësve ishte e pa lejuar. Me vendim, Gjykata ka argumentuar se paditësit ka qenë dashur që fillimisht vendimin e kontestuar ta atakonin në shkallë të dytë brenda Ministrisë së Administratës Publike, e jo të iniciojnë padi direkt në Gjykatë.

Ushtrimi i padisë në Gjyaktë, pa shterrimin e mjeteve të ankesës për atakimin e vendimit të kontestuar brenda për brenda institucionit, në këtë rast Ministrisë së Administratës Publike, sipas Gjykatës së Prishtinës është i pa lejuar dhe nuk përbën çështje për trajtim nga Gjykata.

Pra, Gjykata e Prishinës e ka hedhur poshtë padinë e paditësve për faktin se aktet e kontestuara nuk janë vendime përfundimtare në procedurën administrative dhe në raport me këtë lloj të akteve administrative nuk mund të hapet konflikt administrativ me padi.

Për të vlerësuar lejueshmërinë e padisë së paditësve, Gjykata e Prishtinës i është referuar Ligjit për Konfliktet Administrative, LKA, me të cilin është pacaktuar se të drejtë për të nisur konfliktin administrativ ka personi fizik dhe personi juridik, nëse vlerëson se me aktin administrativ përfundimtar në procedurën administrative i është shkelur ndonjë e drejtë apo interes ligjor.

Në rastin konkrekt, sipas Gjykatës, akti i atakuar me padi nga paditësit, nuk është akt përfundimtar, pasi që paditësit ka qenë dashur që fillimisht aktin ta kotestojnë në shkallë të dytë në Ministrinë e Administratës Publike në mënyrë që ky akt të llogaritet si përfundimtar nga ky institucion, e më pastaj çështjen ta iniciojnë në Gjykatë.

“… Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë, ose kundër aktit administrativ të nxjerrë në shkallë të parë, kundër të cilit nuk është lejuar ankimimi”, thuhet në nenin 13 të LKA-së.

Në këtë kuptim gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar se aktet e goditura me padi, nuk janë akte përfundimtare në procedurën administrative dhe se ndaj tyre nuk mund të zhvillohet konflikt administrativ.

Prandaj, pikërisht për këtë fakt, Gjykata e Apelit pas vlerësimit të gjendjes erdhi në përfundim se vlerësimi dhe qëndrimi  juridik i çështjes nga gjykata e shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm.

Duke shqyrtuar ankesën e paditësve në shkallë të dytë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktvendimi i atakuar i Gjykatës së Prishtinës nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se Ligji për Konfliktet Administrative është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Ndaj ketij vendimi nuk është e lejuar ankesa. Vendimi i Gjykatës së Apelit për këtë çështje është vendim përfundimtar, i bërë i plotëfuqishëm më datë 16 shkurt 2023.

Fondacioni “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, ishte themeluar në vitin 2017 me qëllim të ndërtimit të shtëpisë së OJQ-ve, dhe ishte përkrahur nga Fondacioni “Rockefeller Brothers Found”, RBF, me një milion dollar. Fondacione të Shtëpisë së Shoqërisë Civile ishin themeluar në të njëjtën kohë edhe në Mal të Zi dhe në Serbi me të njejtin donacion si në Kosovë. Nga të trija Shtëpitë e ndërtuara me fonde të RBF në Ballkan, vetëm Shtëpia e Shoqërisë Civile e Kosovës është sot funksionale dhe shërben si hapësirë për konferenca e trajnime të organizatave të shoqërisë civile.

Fondacionet e Shtëpisë së Shoqërisë Civile në Ballkanin Përendimor ishin mbështetur nga “Rockefeller Brothers Fund”, me qëllim që të sigurimit të qëndrueshmërisë së organizatave të shoqërisë civile.

Vendimin e plotë të Gjykatës së Apelit mund ta gjeni më poshtë:

Vendimi i plotfuqishëm i Gjykatës: Dajana Berisha e Jeta Xharra e fitojnë betejën e parë për ‘Shtëpinë e Shoqërisë Civile’