Burim Piraj: Bëjmë fushatë të mos blihen vetëm produktet serbe, nuk i reklamojmë prodhimet tona
Burim Piraj, pronar i kompanisë “MEKA Hallall Food” në emisionit “KALLXO Përnime”, ka folur për fushatën në rrjetin social Facebook për të vetëdijësuar qytetarët kundër blerjes së produkteve nga Serbia.
Piraj e ka konsideruar të suksesshme këtë fushatë.
“Ka ndryshuar tregu. Ka pasur pandemi, ka luftë, dhe popullata di shpeshherë të hutohet. Ka pasur një huti në treg. Pikërisht për këtë çështje, vitin e kaluar, më 24 shtator 2021, unë e kam bë një grup në Facebook, “Mos bli prodhime serbe”, që për befasinë time iu kanë bashkëngjitur grupit për një javë ditë 5 mijë veta, ka qenë një kënaqësi” – thotë ai.
“Kemi pasë sukses në mall, është rritur vlera, jo sasia. Sasia ka rënie, mos të kishte ekzistuar grupi jonë, ajo vlera kishte me qenë shumë më e madhe. Energjinë e blerjes së produkteve serbe e kemi pasur problem gjashtë muaj ditë, vetëm me i ndalë njerëzit mos me folë kundër fushatës sonë, me i bind që e kemi një fushatë që ia do të mirën vendit” – u shpreh Piraj.
Ai ka deklaruar se ka pasur njerëz që i kanë “sulmuar” se prodhimet vendore po kanë çmim më të lartë dhe nuk kanë cilësi krahasur me produktet serbe.
Piraj thotë se qëllimi i grupit vetëdijësues ka qenë një lloj mobilizimi kundër blerjes së produkteve serbe në mënyrë që të mos “fuqizohet ekonomia serbe”.
Siç thotë ai më tej, nuk kanë dashur që përmes kësaj nisme t’i detyrojnë qytetarët t’i blejnë prodhimet vendore, ose specifikisht ato të cilat i prodhon firma e Burim Pirajt.
“Është e çuditshme që sa herë njërëzve iu kemi kërkuar të mos blejnë prodhime serbe, disa njerëz na kanë sulmu se prodhimet vendore e kanë çmimin e lartë, s’kanë cilësi. Por nuk ka qenë kërkesa jonë kurrë me i kërku dikujt me ble prodhime vendore, në grup konsiderojmë se prodhimet serbe janë shumë të parëndësishme. Nuk kemi pasur kërkesë me ble prodhime vendore, sepse ne po bëjmë fushatë për me u ble prodhimet vendore, ose që po bëj unë fushatë me u shitë prodhimet e mia. Nuk është qëllimi ky. Qëllimi është mos me u ble prodhimet serbe sepse po fuqizohet ekonomia serbe” – ka thënë ai.
Në “KALLXO Përnime”, Piraj tha se përveç miellit dhe vajit, produktet e tjera që vijnë nga Serbia mund të injorohen pasi siç i quajti ai ” janë produkte të lluksit”.
Biznesmeni kosovar shton se shumica e herave këto produkte nga fqinji verior blihen për arsye se nga Serbia paguhen që të ekspozohen në raftet kryesore të marketeve ku bien më lehtë në sy të konsumatorit.
“Shumica e popullatës sonë, nuk interesohet se çfarë produkti blen, nuk e merr me e lexu deklaracionin e produktit, vendin e origjinës dhe vetëm thjesht e blen. Investimi i firmave serbe në Kosovë ka qenë i fuqishëm. Krejt marketet kanë qenë të paguara prej Serbisë që me i pasë ballinat e mbushura me mallin serb që ato prodhime vendore me qenë anash, dhe automatikisht kur dikush e ka për çdo ditë përballë në ballinë, një ditë do të vendosë ta blejë”
“Ma shumë blihet një produkt që është i ekspozuar në ballinë dhe i bëhet marketing sesa një që është në një qosh. Këtu po i fajësojmë vetëm qytetarët. Dhe po dojmë me i vetëdijësu. Krejt produktet e lluksit janë të Serbisë, pa to bën pa i ble, përveç miellit dhe vaj, këto tjerat është qëllimi mos me u importu” – ka thënë Piraj.
Në rrjetin social “Facebook”, faqja “Mos bli prodhime serbe” aktualisht numëron mbi 104 mijë ndjekës të cilët në vazhdimësi publikojnë produktet serbe në mënyrë që qytetarët të informohen se cilat janë ato, e rrjedhimisht të mos i blejnë.
Ndonëse marketet janë të obliguara që t’i vendosin flamurin e origjinës së produktit në bazë të një udhëzimi administrativ të vitit 2019.
Në emisionin e sotëm ku për temë diskutimi janë sfidat e prodhuesve kosovarë të ftuar përveç Burim Pirajt janë edhe Astrit Bunjaku nga fabrika e prodhimit të produkteve nga qumështi “Drena”, Bedri Kasumi nga fabrika e prodhimit të çipsave “Pestova Vipa Chips”, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve, po ashtu pronar i Tregu Group, dhe i marketeve “Molla” dhe restorantit “Molla e Egër Agroturizmi”.