Foto: KALLXO.com

Në konferencën e organizatës “TOKA” theksohet rëndësia e vullnetarëve

Organizata joqeveritare “TOKA” mbajti një konferencë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarëve, ku u theksua roli e vlera që ka vullnetarizmi në përgjithësi e angazhimi i organizatës “TOKA” në këtë drejtim.

Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka treguar aspektin pozitiv që sjell vullnetarizmi.

“Vullnetarizmi përveç rritjes profesionale, zgjerimit të rrjetit të njerëzve që na jepet mundësia t’i njohim, pastaj ndërtimit të atyre momenteve të kënaqësisë që i kemi gjatë aktivizmit tonë,  konsideroj që na jep edhe një mësim jashtëzakonisht të rëndësishëm që është pikërisht ta kuptojmë dhe të reflektojmë për rolin tonë si individ përbrenda kolektivit apo grupit ku jemi për një kauzë të veçantë”- ka thënë ajo.

Sipas saj, vullnetarizmi na bën qytetarë më të përgjegjshëm, njerëz më të mirë përmes kontributit në kauza të ndryshme.

Zëvendësministrja ka shtuar se Ministria do të jetë mbështetëse në projekte.

“Ministria do të vazhdojë të mbështesë projekte për nga afër dhe do të sigurohemi që së bashku me organizata të shoqërisë civile, me institucionet e tjera, me bizneset, me partnerët të punojmë dhe të shënojmë progres të qëndrueshëm në ndërtimin e një shoqërie më të përgjegjshme për komunitetin mirëpo edhe për vendin në përgjithësi” – ka thënë zëvendësministrja.

Ndërkaq, menaxherja e programit në Ambasadën e Suedisë, Valentina Qarri, ka thënë se është kënaqësi e nder për ta të përkrahin iniciativa të tilla si “TOKA”.

Ajo tha që vullnetarët janë vlera më e çmuar e shoqërisë.

“Vullnetarët më mirë se kushdo tjetër e dinë që çka do të thotë të jesh vullnetar. Vullnetar do të thotë të kesh një zemër të madhe, të kesh kohë atëherë kur për të gjithë koha është një problem, sepse beson në ndryshim, sepse beson që ky ndryshim është vendimtar, themeltar për çfarëdo ndryshimi tjetër” – ka shtuar Qarri.

Tutje, ajo ka thënë se vullnetarët janë ata që i sfidojnë të gjitha krizat e botës, zgjidhjet priten prej tyre ngase ata e kanë energjinë, pasionin dhe kohën e botës.

Qarri tha se “TOKA” sado që në kohë të kufizuar ka me dhjetëra projekte të realizuara, me qindra vullnetarë të angazhuar dhe me dhjetëra biznese që përkrahin angazhimin e tyre.

Jehona Gjurgjeala, themeluese dhe drejtoreshë e “TOKA” ka treguar për fillimet e organizatës.

“’TOKA’ pa kurrfarë krahu të fortë, me shumë mbështetje nga shumë individë edhe partnerë ndër vite, po askush nuk na ka dhanë 1 milion me ia nisë. “TOKËN” e kemi nisë në mënyrë modeste, me një ide shumë të thjeshtë – me i mbledhë njerëzit me vullnet të mirë edhe mandej me shpresu që këta tjerët lakmojnë edhe duan me na u bashkëngjit”- ka thënë ajo.

Sipas saj, në një mënyrë ky model po funksionon.

Më tej, drejtoresha ka treguar se në 8 vitet e fundit kanë arritur t’i angazhojnë mbi 25 mijë të rinj në programet e OJQ-së “TOKA”, nëpër programe të ndryshme, ku në këtë numër mbi 10 mijë tha se janë vullnetarë.