Vullnetarizmi i kosovarëve përballë ngecjeve

Kosova ende nuk ka ligj të posaçëm për vullnetarizëm dhe po ashtu vendi vazhdon të ketë ngecje në promovimin e punës vullnetare dhe llogaritjes së saj si punë praktike. 

Përtej kësaj, Fajtona nga Hani i Elezit e cila merret me vullnetarizëm që nga klasa e 7-të rrëfen se ka ndjerë diskriminim gjinor gjatë punës vullnetare në terren.  

“Në ditën e solidarizimit, kemi pasë me shku në një pikë karburanti në një qytet të Kosovës dhe kemi qenë krejt vajza, jemi nda nëpër sektore. Kur kam shku për herë të parë tek sektori i mbushjes së derivatëve, më kanë thanë “çka po lyp ti këtu, a s’ka naj djalë a”, jau kam spjegu që po bëjë punë vullnetare, mandej kanë fillu me m’ngacmu që nuk po ua mbushi veturën me derivatin e duhur dhe atë që e kanë kërku” – tregon ajo. 

Pavarësisht steriotipeve, 17-vjeçarja thotë se e konsideron si një mundësi të mirë punën vullnetare pasi thotë se kjo i kontribuon zhvillimit të saj personal dhe profesional. 

Sipas një raporti të Demokracia për Zhvillim (D4D), të dhënat nga hulumtimi tregojnë, se vullnetarizmi ndryshon në bazë të gjinisë. Gratë kanë një nivel më të ulët të vullnetarizmit për dallim nga burrat. Hendeku gjinor është i dukshëm në radhët e të gjitha grup moshave. 

Ndërkaq, në Raportin e fundit të Progresit (2022), Komisioni Evropian (KE) theksohet se mjedisi për vullnetarizëm në Kosovë duhet të përmirësohet, duke përfshirë krijimin e një kornize të përshtatshme legjislative, në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe shpërndarjen e burimeve financiare dhe njerëzore për programet e vullnetarizmit për të rinjtë. 

Inkurajimi dhe promovimi i vullnetarizmit në Kosovë, është një nga katër objektivat strategjik të parashikuar në Strategjinë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023.

Për rritjen e vullnetarizimit në programet në interes publik janë paraparë tri objektivat specifike; krijimi e një kornize gjithëpërfshirëse ligjore dhe institucionale për të mbështetur zhvillimin e vullnetarizmit; zhvillimi i kapaciteteve të OSHC-ve për të rekrutuar, angazhuar dhe menaxhuar vullnetarët dhe rritja e njohurive të qytetarëve për mundësitë dhe vlerat e vullnetarizmit. 

Nën petkun e MKRS-së është platforma Kosovo Voluuteers e cila ka për qëllim edhe regjistrimin falas të vullnetarëve. Por nga ky institucion nuk kanë qenë të qasshëm në pyetjet e KALLXO.com nëse kjo platformë është aktive dhe për numrin e vullnetarëve të regjistruar deri tani.

“Vullnetaret kryejnë punë më shumë se sa që mendojnë” 

Në Drenas është organizata Bliri e cila ka për mision të kountriboi për emancipim të grave dhe vajzave të të gjitha komuniteteve. 

Për të arritur misionin e tyre, dy herë kanë hapur thirrje për të pranuar vullnetare. 

Mahije Smajli, drejtoreshë e organizatës “Bliri” thotë për KALLXO.com kanë pranuar vullnetarë në vitin 2018 dhe 2022. Shumica dërmuese thotë se kanë qenë studentë. 

“Kemi pasë në fillim, kanë bashkëpunu me ne, me dalë më bisedu me njerëz, njëlloj hulumtimi nëpër fshatra me këqyrë çfarë problemesh kanë gratë dhe vajzat në komunitet. Thirrja e fundit ka qenë në vitin 2018 dhe e tash e fundit 2022. Ka pas vullnet, por më shumë nëpër qytete, por në përgjithësi edhe për studentët është e nevojshëm. Kjo ju ka nimu me qasje, në bashkëpunime, me i pa edhe nevojat i kanë krahasu komunitetin në qytete dhe në zonat rurale”. 

Sipas një studimi për Vullnetarizimin në Kosovë nga Zyra për Qeverisje të Mirë, shumica e kosovarëve, mbi 70 për qind mendojnë se vullnetarizmi është shumë dobiprurës dhe 19 për qind mendojnë se është i dobishëm deri diku. 

Gjithashtu studimi thotë se vetëm 43,1 për qind prej tyre kanë deklaruar se do të bëheshin vullnetar po t’i jepej mundësia.

Kjo, sipas raportit, pasqyron një nivel relativisht të kufizuar të interesimit – niveli i punës së ofruar – për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të komunitetit ose promovimit/mbrojtjes së çfarëdo çështjeje tjetër me interes për publikun.

Ligji i vetëm i cili e rregullon vullnetarizmin është Ligji mbi Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë i cili ka të bëjë me moshat 15 deri 24 vjeçare, gjë që nënkupton se ligji është i njëanshëm për moshat nën apo mbi këtë kategori.

Fjolla Shaqiri nga organizata TOKA thotë për KALLXO.com se fakti që nuk ka ende ligj të veçantë për vullnetarizim është indikacion i qartë se nuk është punuar mjaftueshëm në promovim të saj. 

“Fakti që nuk kemi ende ligj të veçantë të vullnetarizmit tregon se nuk është punuar mjafteshëm në promovim prej institucioneve vendimarrëse, e kemi vetëm udhëzimin administrativ dhe ligjin për fuqizim të të rinjëve që nuk mjafton sepse kemi ende dilema, i kemi ende hendeqe” – thotë ajo.

Shaqiri thotë se nuk pajtohen të pjesa e ligjit që e determinon se puna vullnetare duhet të kryhet nga persona të moshës nga 15 deri në 24 vjet. 

“Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë dhe Udhëzimi Administrativ për punë vullnetare e determinon së pari moshën, 15-24 vjet që për neve na u ka dokë që po i anashkalojmë pjesëtarët që sidoqoftë janë të rinjë edhe nëse i ki mbi 24 vjet na prapë të konsiderojmë të ri, kemi pas shumë vullnetar që i kanë taku moshës mbi 24 vjeç dhe kanë dashtë me bë punë vullnetare” – thotë ajo. 

Ajo tregon se puna vullnetare duhet të mbetet punë pa pagesë por që të ketë kompensime për vullnetarët.

“Për neve puna vullnetare duhet të mbetet punë taman vullnetare pa pagesë, duhet të kompensohet edhe duhet të krijohet njëfarë modeli i institucionalizum nga qeveria ose ministria ose cilido organ kompetent të krijoj mundësi për kompenzim, rimburësim të këtyre nevojave bazike të vullnetarëve, transport, ushqim e të tjera dhe mbi të gjitha të njihet si përvojë pune” – thekson Shaqiri. 

Shaqiri përmend se janë duke e shtyrë faktin siç përcaktohet edhe në ligj që puna vullnetare duhet të njihet si përvojë pune dhe të ketë përparësi në treg të punës.

“Çka ne kemi pa është që me Ligj për Fuqizim në Pjesëmarrje të Rinisë edhe me krejt dokumentat e tjerë edhe që kanë dal në kuadër të të gjitha përpjekjeve edhe të zyrës për qeverisje të mirë për me e shty ligjin për vullnetarizëm e kemi pa që në fakt ligji thotë se puna vullnetare duhet të njihet si përvojë pune dhe duhet të ketë përparësi kur konkuron në vend të punës dhe në disa prej forumeve duke e përfshirë edhe MRKS-në edhe Zyrën për Qeverisje të Mirë si pjesë e shoqërisë civile jemi duke e shtyer” – shton ajo. 

Ajo thotë se që në trajnimin e parë me këta të rinj një nga gjërat bazike që kemi filluar të bëjnë është të shkrujnë një CV, pasi siç thekson ajo, qysh paraqitesh ti tek të tjerët është tepër me rëndësi.

Në CV, thotë se i kanë inkurajuar të rinjtë që të shkruajnë edhe përvojën e punës vullnetare.

“Edhe njëra nga pyetjet kyqe që e kanë bërë është unë jam i ri, jam duke kryer studimet, nuk kam përvojë pune me pagesë, por kam shumë punë vullnetare dhe njëra nga këshillat që gjatë tërë kohës ia kemi thënë është që përvojën e punës vullnetare duhet ta vendosni në pjesën e përvojës së punës sepse ligji e thekson se ajo duhet të njihet si përvojë pune dhe ne si pjesë e shoqërisë civile duhet me e shty që ajo të bëhet realitet” – ka thënë Shaqiri për KALLXO.com

Mungesa e promovimit të punës vullnetare

“Në Kosovë për fat të keq tek ne nuk promovohet puna vullnetare, shihet si diçka dytësore” – thotë Yllza Nikqi, koordinatore në Linja e Jetës. 

Linja e Jetës është qendër telefonike për parandalim të vetëvrasjes, e cila pranon edhe vullnetarë në misionin e tyre. 

“Ne e hapim një shpallje nëpër rrjete sociale ku dëshirojmë me i targetu personat që dëshirojnë me punu në Linjën e Jetës. Zakonisht pas prëfundimit të atij posti, nëse ka aplikime, ata ftohen në një intervistë. Pas shqyrtimit të intervistës, për shkak të punës sonë të ndjeshme, vullnetarët duhet me ju përfshi një trajnimi që mbahet prej trajnereve tona” -thotë Nikqi.

Sipas saj, njerëzit nuk janë mjaftueshëm të vetdijshëm për benefitet e punës vullnetare. 

“Por njerëzit i harrojnë benefitet se cka i ka puna vullnetare, që domethënë ndikon në mirëqenien tonë emocionale mirëpo me e kriju një komunitet ku na e rrisim atë ndjenjën  e përkatësisë” – thotë ajo. 

“Shumica e shoqërisë nganjëherë nuk janë të informuar se ku mund të kryejnë punë vullnetare, kjo është një prej problemeve kryesore por edhe në të njëjtën kohë, çështja se si shoqëria jonë e sheh punën vullnetare edhe që zakonisht nuk e shohin si të rëndësishme rolin e saj” – shprehet tutje.

Ajo tregon se rreth 97 për qind në këtë qendër janë vajza dhe gra. 

“Ne jemi të hapur për secilën moshë e gjini për me ardhë, nuk e kena ni target si me thënë rinia me ardhë, por kushdoqoftë mbi moshën 18 vjeçare mundet lirisht me ardhë dhe me kry punë vullnetare në Linjën e Jetës. Kështu që interesimi prej anës tyre është shumë më i madh se sa prej djemve/burrave. Zakonisht shumica jemi gra dhe vajza” – shton ajo.

Nikqi beson se shumica e njerëzve janë të informuar në lidhje me aspektin ligjor të punës vullnetare apo punës praktike.

“Ne zakonisht u tregojmë vullnetarëve që i kanë benefitet që munden me vendosë në CV-të e tyre, prej neve munden me marrë edhe letër rekomanduese. Këtë e dijnë qysh në fillim vullnetarët kur aplikojnë në Linjën e Jetës, zakonisht gjatë intervistës u tregojmë që kanë me i pasë këto benefite”.

“Rinia që aplikojnë ndoshta kish qenë mirë me pasë sesione informuese ku rinia jonë e dijnë se ku munden me shku edhe cila sferë u pëlqen më shumë, sepse ne psh merremi me shëndet mendor por ka edhe fusha tjera që ofrojnë punë vullnetare, kështu që vetëm me i targetu qato fusha që i kanë rinia por edhe grupmosha tjera në mënyrë që me u rritë dëshira për me kry punë vullnetare” – shton ajo. 

Ferid Murseli, koordinator në Demokracia për Zhvillim, thotë se beson që ka promovim të punës vullnetare sidomos në vitet e fundit por interesimi është diçka që ndryshon prej vitit në vit për të bërë punë vullnetare, gjë që vjen, thotë ai, ndoshta edhe si rezultat i mosnjohjes së punës vullnetare. 

Sipas tij, rritja e promovimit vjen si rezultat i promovimit që është bërë ndër vite kryesisht nga organizatat jo-qeveritare që funksionojnë në Kosovë.

“Ne besojmë që puna vullnetare duhet të llogaritet gjithsesi dhe ligji duhet të rregullojë drejtat dhe përgjegjësitë e vullnetareve dhe deri në çfarë mase institucionet publike duhet të angazhojnë vullnetare në aktivitete në dobi të mirëqenies njerëzore. Përndryshe nëse kjo nuk ndodhë mund të shkaktojë kontra-efekt që të rinjt të demotivohen dhe të ketë pjesëmarrje më të vogël të angazhimit vullnetar”.

“D4D ka publikuar hulumtimin i cili daton nga viti 2018 – kështu që mund të flas për atë kohë por besoj qe ka ndryshime, pjesa më e madhe e të angazhuarve kanë qenë djem në krahasim me vajza përkundër së shumicën e kohës e sidomos nga OJQ ju ipet mundësi e barabartë për përfshirje” – thotë Murseli për KALLXO.com

Çka thotë Ligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë?

Për dallim nga rajoni i Evropës Jug-Lindore dhe shumë shtete të zhvilluara të BE-së, Kosova nuk e ka një Ligj të veçantë mbi Vullnetarizmin. 

Akti i vullnetarizmit njihet vetëm nga Ligji për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë (Ligji Nr.03/L-145) dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ligji për fuqizimin dhe pjesëmarrje të Rinisë, është miratuar në vitin 2009 në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror.  

Sidoqoftë, ky Ligj, përkufizon aspektet rregullueses vetëm për të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjet për sa i përket marrëveshjeve, të drejtave dhe obligimeve si dhe mbulimit të shpenzimeve për vullnetarizëm. 

Legjislacioni aktual e përkufizon vullnetarizmin si punë pa pagesë e cila konsiderohet si e rëndësishme dhe dobiprurëse për shoqërinë. 

Përderisa kompensimi përjashtohet si nxitje, Ligji aktual e përkufizon vullnetarizmin si diçka që do t’ua mundësonte njerëzve që të përmirësojnë shkathtësitë personale profesionale dhe që ua pasuron përvojat jetësore.

Udhëzimi administrativ për punë vullnetare 

Kosova e ka të miratuar një udhëzues administrativ për punë vullnetare për të rinj që nga viti 2016.

Udhëzuesi përkufizon se një vullnetar është i riu apo e reja person fizik i moshës 15-24 vjeçare që ofron shërbim pa pagesë në të mirën e shoqërisë. 

Të rinjtë e interesuar që ofrojnë shërbime vullnetare mund të lajmërohen tek organizuesi i punës vullnetare. 

Puna vullnetare e të rinjve rregullohet me marrëveshje me shkrim, ndërmjet organizuesit të punës vullnetare dhe vullnetarit/es. 

Sipas nenit 10, të sistemi elektronik PDV, departamenti i Rinisë përmes stafit përgjegjës të Teknologjisë Informative së MKRS-së administron dhe mirëmban sistemin elektronik PDV, ku përfshihet baza e të dhënave dhe aplikacioni për vullnetarët dhe ofruesit e punës vullnetare. 

Të gjithë organizuesit e punës vullnetare të cilët shprehin gatishmëri për të ofruar punë vullnetare do të kenë qasje në këtë sistem elektronik PDV.

Vullnetarët do të jenë në gjendje të verifikojnë të dhënat e përfshirjes së tyre vullnetare dhe të printojnë certifikatat e tyre në çdo kohë online. 

Përmes sistemit menaxhues elektronik PDV mundësohet krijimi kartelave identifikuese në formë elektronike për të rinjtë vullnetarë.

 

Si e rregullojnë vendet e rajonit dhe ato evropiane çështjen e vullnetarizimit? 

Duke i pasur parasysh politikat e BE-së në favor të promovimit të vullnetarizmit, shumica e shteteve në Ballkanin Perëndimor e kanë rregulluar Vullnetarizmin me Ligj të posaçëm. Bosnja dhe Hercegovina përbëjnë paksa përjashtim pasi që atje vetëm Republika Srpska (RS), e cila është pranuar dhe rrjedhimisht funksionon si entitet ligjor i dalluar, e ka miratuar Ligjin mbi Vullnetarizmin në korrik 2008. 

Miratimi i një Ligji mbi vullnetarizmin është rruga përpara drejt integrimeve Evropiane duke pasur parasysh ndikimin pozitiv që e ka vullnetarizmi në zhvillimin socio-ekonomik.

Deri më tani, nuk është bërë asnjë vlerësim gjithëpërfshirës për të kuptuar nëse dhe deri në çfarë mase këto Ligje kanë ndikuar pozitivisht në këto shtete. 

Ndërkaq, studimi i Zyrës së Qeverisjes së Mirë ka gjetur se në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së, vullnetarizmi nuk është i rregulluar me një Ligj të veçantë siç është përshkruar më thellësisht në Analizën Ligjore.

Shtetet Anëtare të BE-së më të përparuara të cilat kanë një Ligj të posaçëm mbi vullnetarizmin janë Austria, Belgjika, Luksemburgu, Spanja dhe Portugalia. 

Këto shtete karakterizohen me një nivel të lartë të vullnetarizmit. 

Shtetet Anëtare të BE-së të cilat qëndrojnë mirë në vullnetarizëm dhe që jo domosdo kanë një Ligj të posaçëm mbi vullnetarizmin përfshijnë Danimarkën, Finlandën, Holandën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë. Në këto shtete, aspektet e ndryshme të vullnetarizmit janë rregulluar në mënyrë të gërshetuar. 

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.