Ilustrim
Hulumtimi: Vetëm 5% e sponsorizimeve në sport shkojnë për Klubet e femrave
Një hulumtim i Institutit për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) tregon se vetëm 5% e sponsorizimeve totale për Klubet sportive përfundojnë në Klubet e femrave.
Sipas këtij hulumtimi me autor Leart Hoxhën kjo i vë këto Klube në pozitë të pafavorshme për zhvillim dhe sukses në arenën ndërkombëtare.
“Kjo pabarazi e madhe krijon më pak mundësi ekspozimi dhe zhvillimi të sportisteve femra.” – thuhet në Raport.
Raporti është i fokusuar në zbatimin e Ligjit për Sponsorizime, që është miratuar në vitin 2017 dhe që ka filluar të zbatohet praktikisht në vitin 2019.
Të dhënat e sponsorizimit, të nxjerra nga hulumtimi, kanë treguar se janë vërejtur dy trende që ndikojnë në integritetin e sponsorizimeve dhe e formësojnë aktivitetin financiar sportiv.
“Trendi i pari ka të bëjë me fokusimin gati total të sponsorizimeve në ekipe të seniorëve dhe në Klube e sporte ku ka potencial më të madh komercial dhe shikueshmëri më të madhe. Trendi i dytë që vërehet në analizë të të dhënave të sponsorizimit është edhe koncentrimi joproporcional i sponosorizimeve në Klube të meshkujve.” – thuhet në Raport.
Tutje, hulumtimi ka treguar se mbi 75% e sponsorizimeve të sportit janë të orientuara në futboll dhe basketboll, sipas Raportit, me pjesëmarrje shumë të vogël të sporteve të tjera.
“Vetëm 2-3% e totalit të sponsorizimeve shkon për kategoritë e reja, ndërsa pjesa dërmuese e sponsorizimeve orientohet te Klubet e seniorëve, veçanërisht ato që garojnë në Superligë. Ky orientim krijon mungesë investimi në talente të reja dhe redukton mundësitë për zhvillimin e sportistëve të rinj.” – konstaton Raporti.
Raporti theskon se Klubet me kapacitet të ulët absorbues për sponsorizime vazhdojnë të kenë vështirësi financiare, ndërsa sipas hulumtimit potenciali i plotë i Ligjit për Sponsorizime nuk është duke u shfrytëzuar.
Raporti zbulon tutje zbatim jo të plotë të Ligjit dhe vonesa burokratike për Vërtetimin e sponsorizimeve krijon pasiguri te bizneset që duan të investojnë në sport.
Po ashtu hulumtimi tregon se si sportet që kanë fituar medalje olimpike dhe evropiane siç është xhudo nuk kanë arritur tërheqje të madhe të sponsorizimeve, ndërkohë që futbolli dhe basketbolli kanë arritur të marrin pjesën më të madhe të fondeve.
“Pavarësisht që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka publikuar Vërtetimet për sponsorizime, shumica e Klubeve nuk i kanë inkasuar fondet e certifikuara. Kjo ka krijuar një hendek mes shumës së publikuar (përmes Vërtetimeve) dhe asaj që realisht ka hyrë në llogaritë e Klubeve.” – thekson Raporti.
Gjithashtu, hulumtimi ka treguar edhe për shumën e investimeve nga viti 2021 e deri në vitin 2024. Të dhënat kanë treguar se investimet në vitin 2021 kanë qenë 7,000,000 euro, ndërsa në vitin 2024 kanë arritur në mbi 20,000,000 euro.
“Vetëm në vitin 2024 mbi 4,000,000 euro sponsorizime janë orientuar drejt Klubeve të Superligës së Futbollit dhe Basketbollit, kurse Klubet e kategorive të reja dhe të grave në total kanë sponsorizime që maten me qindra-mijëra euro”.
Klubet e femrave kanë mbetur më pak të financuara, ku vlera totale e sponsorizimeve nuk e kalon shifrën e 1,000,000 eurove.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.
