Ilustrim
Sporti përfiton miliona euro nga sponsorizimet gjatë 2024-tës
Vetëm gjatë vitit 2024, sporti kosovarë ka përfituar mbi 20 milionë euro nga sponsorizimi.
Klubet e futbollit kanë përfituar më shumti nga sponsorizimi, plotë 8 milionë e 993 mijë e 626 euro.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilat KALLXO.com i siguroi përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, klubet e basketbollit përfituan po ashtu disa miliona euro nga sponsorizimi.
Sipas të dhënave, klubet basketbollistike përfituan 6 milionë e 199 mijë e 50 euro.
Henbolli gjatë vitit 2024 përfitoi 1 milion e 65 mijë e 249 euro ndërsa klubet e Volejbollit përfituan 912 mijë e 600 euro nga sponsorizimi.
Automobilizmi po ashtu përfitoi 549 mijë e e 600 euro e klubet e në Futsall 496 mijë e 900 euro.
Në total, sporti përfitoi 20 milionë e 123 mijë e 287 euro nga sponsorizimi.
Në grafikën poshtë janë prezantuar top 10 kategoritë e sporteve që kanë përfituar më së shumti nga sponsorizimi:
Nga viti 2017, në Kosovë ekziston një ligj përmes të cilit është e rregulluar që bizneset sponsorojnë në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë. Ky ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorimit dhe reklamave.
Ligji thotë se përmes sponsorizimit të aktiviteteve të ndryshme në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit “realizohet interesi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës”.
Sipas këtij Ligji, bizneset që hyjnë sponsor reklamojnë biznesin e tyre, e cila në këtë rast përfshinë promovimin e logos në fanela, në objekte sportive, kulturore, rinore, në radiotelevizione, gazeta, revista, portale, afishe, tiketa, billborde dhe ueb-faqe.
