Foto: Screenshot nga Seanca e Kuvendit të Kosovës më 30.10.2024.
Kuvendi miraton raportin që rekomandon ndryshime në Ligjin për Sponsorizime
Me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin që rekomandon ndryshime dhe amandamentime në Ligjin për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Raporti është hartuar nga Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës, ndërsa është prezantuar nga deputeti, Ardian Gola.
Ai tha se Ligji për Sponsorizime është dokumenti më i rëndësishëm i viteve të fundit në këto tri fusha. Sipas tij, edhe pse ky ligj ka mundësuar sponsorizime të përgjithshme deri në 30 milionë euro, prapë ka pasur mangësi dhe diskriminime.
“Mangësia kryesore e ligjit është diskriminimi i kulturës dhe rinisë në raport me sportin, meqenëse në sport lejohet që sponsorizimi të arrijë deri në 30% të tatimit në fitim të një biznesi të caktuar, kurse për rini dhe kulturë kjo kuotë është vetëm 20%” – ka thënë Gola.
Ai tha se rekomandimet e raportit janë që ministria të fillojë me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit dhe të adresojë çështjet si: eliminimin e diskrinimimit të kulturës dhe rinisë në raport me sportin; krijiminin e bazës ligjore që edhe bizneset individuale dhe me otrakëri të kenë mundësinë e sponsorizimit; si dhe të krijohen mundësitë që artistët e pavarur të përfitojnë nga sponsorizimi.
Gola tha se raporti është një mundësi e mirë që të përdoret për amandamentimin e ligjit në një ardhme të afërt.
Ndërsa deputetja Mirlinda Tishukaj – Sadiku tha se në këtë raport ka të gjetura të cilat janë trajtuar në problematikën e zbatimit të ligjit, problemet procedurale nga Ministria e Kulturës, ATK-ja dhe federatat.
Ajo tha se fondet e sponsorizimit nuk janë përdorur për aktivitete sportive.
“Po ashtu ZKA-ja ka gjetur se fondet e sponsorizimit janë përdorur për aktivitete josportive, siç janë bileta udhëtimi; VIP bileta; madje ka pasur marrëveshje për emërime në borde drejtuese të klubeve sportive me kusht sponsorizimin, duke vënë në pah faktin se sponsorizuesit nuk e kanë pasur për qëllim sponsorizimin, por vetëm përfitimin dhe kontrollin mbi klubet sportive” – tha ajo.
Ligji për Sponsorizimin në Kulturë, Rini dhe Sport është miratuar në vitin 2017, ndërsa ka filluar të ketë efektet e veta pas vitit 2020.