Foto: Ambasada e SHBA në Kosovë, Facebook

Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin përcaktuar në Kushtetutë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka uruar Kosovën për Ditën e Kushtetutës.

Hovenier ka deklaruar se SHBA-të janë krenare për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës deri në përmbushjen e vizionit të përcaktuar në Kushtetutë për një Kosovë të lirë, demokratike e paqedashëse.

“Urime Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë mishëruar në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme të Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët…’ Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa si jemi partnerë me popullin e Kosovës për ta arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”- ka shkruar Hoveier në rrjetin social “X”.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06.2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.