Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

Hoti raporton në Kuvend për dialogun: Ose do të ketë marrëveshje të mirë për Kosovën, ose s’do të ketë fare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vizitën në Uashington të ShBA-së më 27 qershor lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti përsëriti se dialogu bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe se kjo është platforma për këtë proces.

“E dyta, dialogu udhëhiqet nga kryeministri i vendit, sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit, sepse kështu thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, vitin e kaluar”, tha ai.

Ai shtoi se marrëveshja arrihet nëse do të ketë përfshirje të opozitës në të gjitha fazat e arritjes së saj.

“Nëse opozita nuk bëhet pjesë e kësaj, nuk ka marrëveshje. Nuk janë çështje që mund të kryhen nga një shumicë parlamnetare”, tha Hoti, dukë bërë të ditur se edhe sot u ka bërë ftesë liderëve të partive opozitare për bashkërendim të qëndrimeve.

Hoti tha se janë tri parime për procesin e negociatave.

“1. Integriteti territorial është i panegociueshëm, 2. Organizimi kushtetues i vendit është i panegociueshëm dhe 3. Marrëveshja që mund të arrihet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ai.

Hoti mes tjerash deklaroi se i propozon Kuvendit që të themelohet komisioni parlamentar për mbikqyrje të procesit të dialogut, të cilin duhet ta udhëheqë opozita.

Kryeministri u zotua për transparencë të plotë.

“Ose do të ketë marrëveshje të mirë për Kosovën, në përputhje me Kushtetutën, ose nuk do të ketë marrëveshje. Më vjen keq nëse për disa muaj nuk mund të arrijmë marrëveshje në mënyrë që të mos vazhdojë kjo situatë e marrëdhënieve mes të dy vendeve”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se duhet dëgjuar partnerët ndërkombëtarë për qasjen në këtë proces.

Kryeministrit në fund tha se pas kthimit nga Uashingtoni do të raportojë sërish në Kuvend.