Foto: LDK

Hoti: Mos u besoni atyre që dogjën Kuvendin dhe përgjakën Policinë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, të hënën kërkoi nga qytetarët e Lipjanit dhe gjithë Kosovës që mos t’i votojnë ata që sipas tij ‘dogjën Kuvendin dhe përgjakën policinë tonë’.

“Ju jeni dëshmitarë se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata për pushtet. Dogjën Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë, ndërsa e përgjakën policinë e Kosovës, burrat dhe gratë e këtij vendi që shërbejnë me nderë”, citohet të ketë thënë Hoti sipas komunikatës së LDK-së.

Tutje Hoti ka thënë se ata që po vendosin sot shirita të kuq sikur në kohën e komunizmit, i kanë dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë, duke aluduar për Lëvizjen Vetëvendosje.

“U dashtë qeveria jonë t’i rikuperoj këto marrëdhënie. Kur morëm drejtimin e qeverisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin vendosur sanksione Kosovës, pasi që ishin bllokuar fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), ushtria amerikane paralajmëronte ikjen nga Kosova, ndërsa trajnimet për FSK-në ishin pezulluar. Për shtate muaj qeverisje, jo vetëm që hoqëm sanksionet, por arritëm që FSK-në ta bëjmë pjesë të Gardës së Ioëa-s, për të kontribuar për paqen në botë”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.

Tutje Hoti ka thënë se LDK-ja krenohet me të kaluarën e saj në shtetformimin e Kosovës.

“Ata gjithmonë kanë qenë në anën e kundërt të historisë së shtetit dhe demokracisë së Kosovës. Ne krenohemi me historinë tonë politike. Krenohemi me Presidentin Rugova dhe rrugëtimin e tij që po e ndjekim edhe sot, ndërsa oponentët tanë kanë qenë në anën e kundërt të Rugovës dhe të shtetit të Kosovës. Sot ata kanë angazhuar me dhjetëra IT për t’i fshehur nga publiku deklaratat e tyre kundër demokracisë dhe kundër procese që sollën formimin e shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt.

LDK-ja në këto zgjedhje do të garojë në listë të përbashkët me AKR-në e Behgjet Pacollit. Bartës i kësaj liste është kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.

KALLXO.com raportoi për shkeljen e masave anti COVID-19 nga LDK në tubimin e Lipjanit.

Tubimet e LDK-së në Lipjan e Podujevë, shkelje drastike e masave kundër coronavirusit