Barikadat ne Veri

Foto - Afrim Ejupi

Heqja e barrikadave, përreth dy orë do të mbyllet rruga Mitrovicë – Jarinje

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot njësitet e KFOR-it do të largojnë kamionët e dëmtuar, të cilët kanë qenë të vendosur në lokacionin e quajtur “Përroi i Zhazhës”.

Policia ka bërë të ditur se për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa ka njoftuar se në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinje, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve.

Tutje, në njoftim është thënë se përgjatë kësaj kohe njësitet policore do të asistojnë KFOR-in, si dhe do të ri-orientojnë trafikun.

Më 29 dhjetor ka filluar heqja e barrikadave në veri të Kosovës.

Barrikadat ishin vendosur më 10 dhjetor nga serbët e veriut në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për organizim të veprave terroriste dhe cenim të rendit kushtetues, pas sulmeve gjatë të cilave janë përdorur edhe granata dore e armë zjarri kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve të Kosovës.

Vendimi për heqjen e barrikadave është marrë nga presidenti i Serbisë në takimin me serbët e veriut të Kosovës, të mbajtur të mërkurën në mbrëmje në Rashkë.

Ky vendim erdhi pasi autoritetet e Kosovës e ndryshuan masën e sigurisë ndaj Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.