Dejan Pantiq lirohet nga paraburgimi

Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së i është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënsja e Gjykatës, Mirlinda Gashi si dhe Avokati Nebojsa Vlajiq.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit D.P.,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë  Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit D.P i është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak” – tha për KALLXO.com, zëdhënëshja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Vendimi është marrë sot. Pritet që i njëjti (Pantiq) të dërgohet në shtëpi”- tha Vlajiq.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyret e KQZ në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Zyrtarët e KQZ-së ishin duke u shoqëruar edhe nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur ndodhi sulmi.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK 

Shënim: Artikullit iu është shtuar përgjigja e plotë e zëdhënëses së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi