Opozita e kaluar përdori gaz lotsjellës për të penguar miratimin në Kuvend të Marrëveshjes së Demarkacionit – Foto: KALLXO.com

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, parashkruhet aktakuza ndaj Haxhiut, Lekajt, Kadaj-Bujupit dhe Baftiut

Aktakuza ndaj Albulena Haxhiut, Pal Lekajt, Donika Kadaj-Bujupit dhe Besa Baftiut është parashkruar, që do të thotë se është vjetërsuar dhe nuk ka marrë epilog gjyqësor.

Ndaj të njëjtëve, Gjykata nuk ka arritur marrë vendim meritor, qoftë aktgjykim lirues apo dënues, pasi lënda ka kaluar afatin e trajtimit brenda periudhave të caktuara kohore, në lidhje me akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë pasi është arritur parashkrimi absolut i ndjekës penale të të akuzuarve.

Në një konference të përbashkët për media, Musa Damati, avokati i Pal Lekajt dhe Burim Halili, avokat i kryekuvendares Albulena Haxhiu njoftuan për vendimin për aktakuzën ndaj klientëve të tyre.

Sipas Damatit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dështuar që të procedojë tutje me shqyrtimin e këtij rasti penal juridik dhe se tashmë ka nxjerrë aktgjykimin, në të cilin Lekaj dhe të tjerët, janë shpallur të pafajshëm.

“Klienti im, zotëri Pal Lekaj, është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar në rastin e njohur për publikun, rastin e gazit lotsjellës. Pra kemi të bëjmë me rastin e njohur të hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës, për të cilat janë pandehur dhe janë ngarkuar dhe është rast i cili është shqyrtuar tash e dhjetë vite në organet e Kosovës.” – ka deklaruar Damati, më 21.03.2026.

Kurse, avokati Halili më 16.03.2026, në profilin e tij në Facebook e ka publikuar aktgjykimin e Gjykatës në të cilin janë dhënë dy pika të arsyetimit se pse është refuzuar akuza.

“Refuzohet akuza sepse të akuzuarit më 19.02.2016 rreth orës 12:20 në Hollin e Kuvendit të Kosovës pas pauzës së punimeve të Kuvendit derisa ishin duke u kthyer në sallë për t’i vazhduar punimet, gjatë kontrollit që iu është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim. Me këtë secili veç e veç kishin për të kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.” – thuhet në dokumentin që ka publikuar Halili.

Dhe pika e dytë e arsyetimit të Gjykatës është se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Albulena Haxhiu në atë kohë kishte qenë deputete e Kuvendit të Kosovës… Kur kishte për qëllim Parlamenti i Kosovës atëherë të votonte Asociacionin e komunave serbe, në atë kohë kishin ndërmarr veprime të cilët kishin penguar procesin e mbarëvajtjes në mënyrë të rregullt të votimeve. Dhe zonja Haxhiu kishte mbajtur qëndrim të qartë kundrejt Asociacionit.” – ka thënë avokati Halili.

“Kemi vendim ku lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës Albulena Haxhiu dhe të gjithë të tjerët.” – ka shtuar Halili.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin se në shkurt të 2016-ës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 18.05.2021 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe tre të tjerët ishin liruar nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës.

Më 10.02.2023 për këtë rast ishte caktuar që të bëhet ekspertizë  balistike e cila do të përpilohej jashtë vendit.