U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz. Foto: Presidenca e Kosovës.

Luksemburgu partner i qëndrueshëm i Kosovës, Haxhiu falënderon ambasadorin Dietz

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka falënderuar Shefin e Misionit të Ambasadës së Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në zhvillim, fuqizim institucional, arsim profesional, ekonomi të qëndrueshme dhe avancim të kapaciteteve digjitale.

Kështu ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës pas një takimi që u zhvillua mes Haxhiut dhe Dietz, më 02.06.2026.

“Në takim u theksua rëndësia e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe digjitalizimin”- njofton Presidenca.

Haxhiu ka vlerësuar se Luksemburgu ka qenë partner i qëndrueshëm i Kosovës dhe ka dhënë kontribut konkret në forcimin e mundësive për qytetarët dhe institucionet e vendit.

Luksemburgu i ka dhënë Kosovës ndihma financiare në fusha të ndryshme: që nga sistemi elektronik i votimit në Kuvendin e Kosovës e deri tash së fundmi një investim në shëndetësi.

Në prill të vitit 2026, është përuruar transformimi i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në ceremoninë e organizuar morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz. Ky investim, ka vlerë prej 1.5 milion euro në një hapësirë rreth 400 metra në katrorë

Ndërkaq, në shtator të vitit 2025, Kosova nënshkruajti një marrëveshje me Luksemburgun me vlerë 1 milion euro në kuadër të një marrëveshjeje për mbështetje të bizneseve në energji të pastër për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër. 

Më 04.11.2024, gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë, Xavier Bettel, mes dy vendeve ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me ish-ministren Rozeta Hajdari, përmes së cilit synohej të ofrohen projekte të reja për mbështetjen e sektorit privat me vlerë prej 35 milionë euro.

Luksemburgu ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës edhe në pajijsjet e reja teknologjike në vitin 2024. Pas shumë kohësh, prej shtatorit 2024, deputetët kanë mundësinë për të votuar në mënyrë elektronike për pjesëmarrje në seancë. Për tri vjet, sistemi elektronik në Parlament ka qenë jashtë funksionit, prandaj deputetët kanë votuar me ngritje dore.

Në vitin 2018, ishte nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 2.3 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të Ngrohtores qendrore në Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ku donatorë i këtyre mjeteve ishte Qeveria e Luksemburgut, ndërsa përfituese është NP “Termokos” Sh.A.