Shpallet vendimi për akuzën ndaj ministres Haxhiu për lotsjellës - VIDEO
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me tre ish-deputetë janë liruar nga akuza në lidhje me mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës.
“Në emër të popullit mori vendim se të pandehurit, konform ligjit lirohen nga akauzat”, tha gjyqtarja Fatime Dërmaku.
Arsyetimi i gjykatës për vendosjen ndaj këtij rasti ishte se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk provojnë kryerjen e veprës penale,
“Nuk ka asnjë ekspertizë që e vërteton faktin se sendet e sekuestruara po të ishin armë ashtu siç pretendon Prokuroria, nuk do të ishin kthyer tek i pandehuri”, arsyetoi gjyqtarja Dërmaku vendimin e marrë.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin se në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.