Haziri: Gjilani është duke i zbatuar masat e Qeverisë

Komuna e Gjilanit ka vlerësuar gjendjen e përballjes me Covid-19 dhe Komiteti për menaxhimin e emergjencave, ka konfirmuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të ri me coronavirus.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri tha janë duke u zbatuar masat e reja të Qeverisë së Kosovës.

“Gjilani ka në tretman 26 raste të cilat po monitorohen në vazhdimësi nga ekipet e kujdesit shëndetësor, sikur që edhe rastet që janë duke u trajtuar në spital. Gjilani është duke zbatuar masat e reja që ka lansuar Qeveria e Kosovës për sektorin privat, duke filluar hapja graduale e bizneseve dhe ekonomisë. Komisioni komunal ka përgatitur të gjitha detajet lidhur me bizneset që duhet të punojnë”, ka potencuar Haziri, në konferëncën e sotme për media.

Haziri tha se sektori privat ka nevojë të mbështetjes dhe të funksionimit, sepse sipas tij, gjendja nëpër të cilën ka kaluar vendi për këta dy muaj, ka qenë vështirësi e madhe në stabilitetin e tyre.

“Deri në këtë fazë janë mbështetur 3940 familje me pako sociale dhe janë nën kujdesin e vazhdueshëm të komisionit komunal. Prej tyre 120 familje janë rome, 88 serbe dhe 26 turke. Donacionet që kanë ardhur në Gjilan janë nga një shtrirje e gjerë, që nga bizneset, njerëzit e vullnetit të mirë, diaspora, shoqatat e ndryshme etj”, ka shtuar Haziri në fund.

Gjilan ka shënuar 48 raste me coronavirus dhe 1 viktimë, kurse në vend deri tani, janë shënuar 851 persona të infektuar me COVID-19, prej tyre 381 të shëruar dhe 25 viktima.

Tri fazat e zbutjes së masave ndaj COVID-19 në Kosovë

.