Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin e Venecias, Foto: Albulena Haxhiu, Facebook

Haxhiu: Komisioni i Venecias votoi pro ndryshimit të Projektligjit për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një video mesazhi ka bërë të ditur se Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

“Raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë Projektligji i ri, paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil në Republikën e Kosovës. Për më shumë sipas tyre, bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës, ishte një shembull i mrekullueshëm i cili duhet të shërbejë edhe për raste të tjera”- ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu është duke marrë pjesë në seancën e 133 të Komisionit të Venecias në Itali.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e mbajtur me 24 shkurt të këtij viti, për një afat të pacaktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venecias.