Haxhiu: Komisioni i Venecias rekomandon zhvillimin e procesit të Vetingut për nivelet e larta në sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit në Komisionin Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar tha se zhvillimi i sistemit të Vetingut ne sistem të drejtësisë ka qenë prioritet.

Haxhiu tha se kanë kërkuar ta kenë një opinion nga Komisioni i Venecias i cili edhe ka dhënë rekomandimet e veta.

“Komisioni i Venecias rekomandon zhvillimin e procesit të vetingut për nivelet e larta në drejtësi përmes një mekanizmi të jashtëm ndërsa sugjeron forcimin e mekanizmave ekzistues disiplinor dhe të performancës përmes ndryshimeve adekuate ligjore. Komisioni i Venecias rekomandon ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e një mekanizmi të veçantë dhe me karakter të përkohshëm për kontrollin e integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës po ashtu edhe kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve” – tha Haxhiu.

Haxhiu tha se si qeveri janë pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Sipas saj, edhe pse rekomandimet nuk janë obligative, në një fazë që është Kosova nuk është mirë që mos të zbatohen.

Ministrja tha se e kanë takuar edhe opozitën dhe se takimet kanë qenë konsultuese.

Ajo shtoi se hartimin e legjislacionit të vetingut si proces e kanë bartur në Kuvend pasi ka qenë edhe kërkesë e opozitës që ta sjellin në Kuvend nëse duan mbështetje.

Rashit Qalaj anëtar i komisionit nga PDK tha se procesi i vetingut është proces i rëndësishëm për vendin.

“Vetingu duhet të përfshihet edhe në sektorin e sigurisë sepse nuk është i mjaftueshëm vetëm në sistemin e drejtësisë” – shtoi Qalaj.

Haxhiu tha se vetingu në institucionet e sigurisë është më e lehtë proceduralisht.

“MPB ka formu grupin punues po punon në koncept dokument por pse nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Ministrinë e Drejtësisë, është edhe për shkak të rrethanave dhe situatës më veri” – tha ajo.

Haxhiu shtoi se vetingu në institucionet e sigurisë është më i lehtë pasi nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sikurse në sistemin e vetingut në sistemin e drejtësisë.

Doarsa Kica kërkoi të dijë se a kanë dhënë shkaqe shtesë Komisioni i Venecias që në Kosovë nuk duhet të lejohet vetingu gjithëpërfshirës.

“Dhe a ka fillu të punoj qeveria t’i siguroj votat e domosdoshme për kalimin e amandamenteve” – tha ajo.

Haxhiu tha se kanë bërë përpjekje maksimale të shtyhet përpara rekomandimi i qeverisë për sistemin e drejtësisë.