Haxhiu: Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka folur për pjesëmarrjen që ka pasur javën e kaluar në Komisionin e Venecias, aty ku tha se prezantoi qëllimet e Qeverisë së Kosovës për reformë në drejtësi dhe veçanërisht për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ajo foli për ndryshimet që u bënë në ligjin për këtë Këshill e që për këto ndryshime ligjore më pas kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kishte kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
“Ky opinion është miratuar në seancën që mora pjesë javën e kaluar” – tha Haxhiu.
Ministrja shtoi se në opinionin që do të publikohet gjatë javës nga ana e Komisionit të Venecias, theksohet fuqimisht nevoja për reformë në KPK dhe veçanërisht balancimi i përbërjes në mes anëtarëve prokuror dhe jo-prokuror.
“Për ne është shumë e rëndësishme që përbërja prej shtatë anëtarëve në KPK është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet europiane” – tha e para e MD-së.
Mirëpo, e njëjta tha se ky Komision nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së duke përmendur edhe disa arsye se pse po ndodhë kjo.
“Vështirësitë që Kuvendi mund t’i ketë që t’i zgjedh një numër aq të madh të anëtarëve të KPK-ës, po ashtu mundësitë tona kushtetuese, fakti që të gjithë këta anëtarë zgjedhën me shumicë të thjeshte në kuvend dhe ashtu siç parasheh kushtetua jonë” – tha Haxhiu.
“Po ashtu, argumentojnë që Kosova ka pak më shumë se 200 prokurorë dhe një numër prej 19 anëtarëve mund të konsiderohet një numër shumë i lartë në raport me përbërjen” – vazhdoi tutje ajo.
Ajo tha se për këto arsye Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e anëtarëve Prokurorial, por mbetet me idenë që numri i anëtarëve të Këshillit Prokurorial të ulët në shtatë si zgjidhje e përhershme.
Haxhiu theksoi se këto propozime janë të pranueshme për Ministrinë e Drejtësisë, kjo pasi ajo tha se që nga fillimi ka qenë qellim që KPK të funksionoj në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Haxhiu tha se pas shpalljes së pavlefshme të ligjit për KPK-në nga Gjykata Kushtetuese, më 12 korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte miratuar sërish ndryshimet ligjore në ligjin për KPK-në dhe të njëjtat janë ende në procedurë.
“Këto ndryshime në mes tjerash kanë për qëllim sigurimin e balancimit të përbërjes së KPK-së edhe me anëtar jo prokuror pasi aktualisht këshilli funksionon vetëm me anëtar prokuror, plotësisht në kundërshtim me standardet ndërkombëtare në këtë drejtim” – tha ministrja.
Tutje ajo shtoi se përbërja aktuale e Këshillit shkakton koorporatizëm, i cili sipas saj është burim i të gjitha problemeve të tjera që kanë ndodhur ndër vite në KPK.
“Si rezultat në linjë me rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias, po ashtu edhe me ato që parashihen në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për eliminimin e koorporatizmit dhe arritjen e balancit me anëtarë prokuror dhe jo prokuror në KPK ne kemi bërë dy ndryshime në ligjin të cilin e kemi proceduar në kuvend” – tha Haxhiu.
Ajo shtoi se së pari ishte përbërja permanente prej shtatë anëtarëve – 3 prokuror dhe kryeprokurori i shtetit dhe tre anëtar jo prokuror, e cila do të fillonte së funksionuari prej muajit janar 2026.
“Gjithashtu kemi propozuar përbërjen apo rritjen e përkohshme të anëtarëve të Këshillit nga 13 anëtar sa i sheh ligji aktualisht në 19 anëtar deri në janar të vitit 2026 në mënyrë që të sigurohet balancim i përbërjes deri në atë kohë dhe gjithashtu deri në kohën kur anëtarët aktual të Këshillit Prokurorial të përfundojnë mandatet e tyre” – tha ministrja.
Ministrja tha se përmes ndryshimeve ligjore kanë propozuar edhe kritere shtesë për anëtarët e Këshillit duke propozuar që ata të zgjedhën të kenë integritet dhe aftësi menaxheriale dhe këto procese të monitorohen nga shoqëria civile dhe nga partnerët ndërkombëtar.