Foto: KALLXO.com

Haradinaj: PDK-ja po na nguc kapak, por unë nuk mundem sepse Thaçi dhe Veseli nuk janë këtu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për ndonjë parti, por që siç tha ai PDK-ja po i nguc kohët e fundit.

Sipas Haradinaj do të ishte e ‘pandershme’ që edhe ai të veproj njëjtë, duke marrë parasysh që kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhën në Hagë.

“Këto dit PDK-ja na nguc kapak, unë nuk mundem me i ngucë, se i kam duart e lidhura, Thaçi dhe Veseli nuk janë këtu dhe nuk është në nderin tim me i nguc ata. I shoh se po na ngucin, mirëpo mendoj që na duhet me u kujdes që pas zgjedhjeve me e gjete një mënyrë me kriju një unitet ose një bashkëpunim që me i kriju institucionet”, tha ai.

Kandidati i AAK-së për president tha që partia e tij nuk ka asnjë vijë të kuqe, por që është qytetari ai që do të vendos nëse do të jenë në qeverinë e ardhshme.

“Nuk kemi plan të pas zgjedhjeve, kemi plan për zgjedhje pra me marrë besimin e qytetarëve, koalicion bëjmë me qytetarin pastaj pas zgjedhjeve poashtu s’kemi vija të kuqe për asnjë parti, nëse na jep votën qytetari jemi në qeveri”, tha Haradinaj gjatë një vizitë në Prizren.

Edhe Kandidati për deputet i AAK-së Pal Lekaj e ka quajtur PDK-në parti “kulleriste”, pasi sipas tij “PDK-ja ka rrëshqitur nga identiteti i saj”.

Lekaj përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “PDK-ja kur kishte nevojë për të qëndruar në pushtet e për të marrë votat e Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajt i kërkonin ku ishin e ku nuk ishin”.

“Ndërsa sot kur keni rrëshqitur nga identiteti e juaj në një parti “kulleriste” sipas jush ata nuk i nevojiten më politikës. E pabesueshme ku ka rënë kjo PDK”, ka shkruar Lekaj.

KALLXO. com ka provuar të marr një përgjigje nga ana e PDK-së, por të njëjtit nuk kanë dashur t`i komentojnë deklarata e Pal Lekajt nga AAK.

Pal Lekaj: PDK, parti ‘kulleriste’