Haradinaj i pikëlluar nga vdekja e avokatit Andrew Strong: Ishte një mik i çmuar i imi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes së avokatit Andrew Strong, i cili ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Gjykatën Speciale.

Haradinaj thotë se Strong ishte luftëtar për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i tij.

“I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andrew Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi. Ai i’u bashkangjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë. Ngushëllime familjes dhe miqve. Trashëgimia yte do të kujtohet Andy. U prehsh ne paqe”- ka shkruar Haradinaj.

Ramush Haradinaj ishte gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Ai ishte shpallur i pafajshëm.

Lajmi për vdekjen e Strong u bë i ditur nga ish-këshilltari i Kadri Veselit, Avni Bytyçi.

“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur histrorinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohem dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijeve që la pas”- ka shkruar Bytyçi.

Strong ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, aktualisht po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë të tyre për mbrojtje në liri.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Vdes avokati i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, Andrew Strong