Vdes avokati i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, Andrew Strong

Njëri nga avokatët e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë, Andrew Strong, ka vdekur sot.

Lajmi u bë i ditur nga ish-këshilltari i Veselit, Avni Bytyçi, i cili tha se Strong gjithashtu kishte mbrojtur në Hagë edhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur histrorinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohem dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijeve që la pas”- ka shkruar Bytyçi.

Ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, aktualisht po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë të tyre për mbrojtje në liri.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 10 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.