Parlamenti Europian, Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Hapi i parafundit në rrugën drejt KiE-së, tre deputetë nga Kosova do të flasin në Asamblenë Parlamentare

Në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në të cilën pritet të votohet opinioni i raportueses, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, do të flasin edhe tre deputetë nga Kosova.

Sipas agjendës, i pari që do të flas në mesin e 59 delegatëve që vijnë nga shtetet anëtare të KiE-së është deputeti Enis Kervan.

Më pas, i shtatëmbëdhjeti në radhë për të folur është deputeti Arben Gashi. Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci do të jetë e 33-ta që do ta marrë fjalën. 

Nga delegacioni i Kosovës në Asamblenë Parlamentare ndodhen edhe deputeti Besnik Tahiri dhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Në orën 17:00 është planifikuar të fillojë debati dhe votimi për miratimin e opinionit për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Prezantimi i raportit do të bëhet nga Dora BAKOYANNIS (Greqi), Raportuese e Komiteti Politik i PACE, Azadeh ROJHAN (Suedi), Raportuese e Komitetit të Çështjeve Ligjore të PACE,  Béatrice FRESKO-ROLFO
(Monako), Raportues i Komitetit të Barazisë.

Gjatë ditës, Komiteti për Politikë në kuadër të Këshillit të Europës i ka hedhur poshtë amandamentet e propozuara nga Serbia, njëherësh nuk e ka kaluar as amandamentin e propozuar nga Italia, i cili rekomandonte përfshirjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.