Shpërthimi me granat dore në veri. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Granata që shpërtheu në Mitrovicë të Veriut është M75

Një granatë dore e cila është identifikuar se është e tipit M75 po dyshohet se u hodh mbrëmë në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut nga një person apo persona të dyshuar të cilët ende nuk janë identifikuar nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicë të veriut, Veton Elshani tha për KALLXO.com se tipi i llojit të granatës së dorës së hedhur, të cilën kanë arritur ta zbardhin nga hetimet e para, është një M75.

Ky tip i llojit të granatës është prodhim jugosllav.

Nga hedhja e kësaj granate janë lënduar dy persona ndërsa dëme materiale kanë pësuar edhe shtatë vetura që kanë qenë të parkuara në atë lokacion ku shpërtheu mjeti i dyshuar.

Nga këto vetura të dëmtuara siç ka parë ekipi i KALLXO.com dëmet kanë qenë xhama të thyer, goma të shpërthyera e gërvishtje të tjera të cilat janë evidentuar në raportet policore forenzike.

Në vendin e ngjarjes ende mund të shihen gjurmë gjaku të cilat sipas policisë mund të jenë të njërit nga të lënduarve nga shpërthimi që ndodhi në afërsi të shkollës teknike.

Policia ka larguar dyshimet se rasti mund të lidhet me çështje politike në vend por thotë se janë duke hetuar disa pista të tjera të ndryshme që janë të përfshirë të lënduarit.

Njëri nga të lënduarit pritet që të dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Beogradit. Në anën tjetër siç raportoi KALLXO.com, nga dy të lënduarit, njëri ka qenë i plagosur vitin e kaluar në një rast tjetër.

Shpërthimi i mesnatës, njësi policore në Mitrovicë të Veriut – VIDEO