Shpërthimi i mesnatës, njësi policore në Mitrovicë të Veriut - VIDEO

Pas shpërthimit që ndodhi mbrëmë pak para mesnatës në Mitrovicë të Veriut, dy persona u lënduan, ndërsa shtatë vetura kanë pësuar dëme materiale, katër prej të cilave u janë thyer xhamat si pasojë e shpërthimit.

Në Lagjen e Boshnjakëve mbrëmë u dëgjua një shpërthim i madh, ndërsa dyshimet janë se u hodh një mjet shpërthyes.

Shumica e veturave janë me targa të Beogradit.

KALLXO.com që gjendet në vendin e ngjarjes sjell nga atje pamje të veturave të dëmtuara.

Rruga kryesore në Lagjen e Boshnjakëve është liruar për qarkullim ndërsa shiritat e policisë janë larguar si rrethojë, por që të njëjtit kanë mbetur si shenjë që aty ka pasur një incident.

Deri më tani nuk ka të dhëna nëse është identifikuar ndonjë person i dyshuar për ngjarjen.

Mbrëmë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani i ka thënë KALLXO.com se nga ky shpërthim dy persona mbetën të lënduar njëri pak më rëndë, por që është jashtë rrezikut për jetë.

Tutje përgjatë Lagjes së Boshnjakëve më saktësisht përballë shkollës Teknike, u panë edhe njësi policore të cilët po vazhdonin monitorimin dhe mbikëqyrjen situatës pas ngjarjes.

Gjithashtu u panë edhe ekipet e carabiniereve italianë, derisa po patrullonin në të njëjtën zonë.

Përgjatë rrugës ku shpërtheu mjeti i dyshuar e që në bazë të hetimeve të para është një granatë pati edhe disa lokale.

Të njëjtat me aq sa pa ekipi i KALLXO.com, nuk patën ndonjë dëm material.