Foto: KALLXO.com

Gjykimi për mashtrim me viza pune të Gjermanisë, dëshmitarja: Vetëm 27 persona ishin pajisur me vizë

Në gjykimin e M.Z. (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës), dhe dy të akuzuarve të tjerë I.K. dhe E.K., në rastin e mashtrimit me viza pune gjermane, kanë dhënë dëshminë e tyre ekspertja për çështje ekonomike dhe hetuesi tatimor.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Atdhe Dema, ekspertja për çështje ekonomike, Fërdeze Tërshnjaku, ka deklaruar se kishin bërë analizë financiare të llogarive bankare të tre të akuzuarve, se kishin identifikuar transaksionet e dyshimta nga mjetet materiale të përfituara nga aktiviteti kriminal i të pandehurve, kishin konstatuar rrjedhjen e transaksioneve mes të akuzuarve dhe personave të tjerë.

Tërshnjaku shtoi se në bazë të dëftesave për pagesë të aplikuesve të cilët kanë aplikuar për marrjen e vizës dhe për leje të punës, rezulton se gjithsej 927 persona kishin aplikuar për t’u pajisur me vizë dhe leje të punës dhe se vlera e përgjithshme kishte shkuar në 321,400 euro.

Tutje ajo tha se prej 927 personave, 44 prej tyre kishin aplikuar për marrjen e vizës në vlerë 24,300 euro, prej të cilëve tha se vetëm 27 ishin pajisur me vizë.

“Prej të gjithë aplikantëve në total vlera e mjeteve arrin 345,700 euro. Gjithashtu kemi konstatuar se prej kësaj vlere 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, nga Agjensioni për Punësim I.K. Në bazë të këtyre vlerave rezulton se diferenca apo moskthimi i mjeteve ndaj klientëve është 261,250 euro”, tha Tërshnjaku.

Kurse në lidhje me pagesën për blerjen e një banese në shumën prej 153,901 euro në kompleksin “Nartel” në Prishtinë, sipas saj kishin identifikuar disa transaksione të realizuara në llogari të M.Z., i cili i kishte transferuar në llogarinë e E.K., i cili më pas këto mjete prapë i kishte kthyer në llogari të M.Z.

“Transaksioni i parë është realizuar më 1 gusht 2016, në vlerë 10,000 euro dhe po ashtu më 2 gusht 2016, nga E.K. është bërë kthimi i mjeteve në llogari të M.Z. në vlerë prej 10,000 euro, pra një ditë më vonë. Gjithsej janë bërë 11 transfere për blerjen e kësaj banesës në vlerë 153,901 euro dhe 153, 000 nga “Nartel” janë kthyer në llogari të M.Z.”, ka shtuar ajo.

Ndërsa sa i përket transaksioneve në llogarinë bankare të ndërmarrjes Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, me pronar M.Z., Tërshnjaku ka thënë se në këtë llogari gjithsej ishin realizuar transfere hyrëse në vlerë prej 52,094.99 euro në periudhën janar-maj 2016 dhe deponimet e mjeteve në vlerë 14,624 euro, në të njëjtën llogari, ndërsa për periudhën qershor 2016 – gusht 2017 tha se ishin kryer transfere hyrëse në vlerë prej 68,876.87 euro.

Tutje dëshmitarja ka shtuar se në ndërmarrjen Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” ishin deponuar mjete që korrespondojnë me çështjen e të dëmtuarve që kanë paguar para për t’u pajisur me viza dhe sipas saj këto mjete ishin deponuar nga Blerta Gashi në vlerë 8,532 euro, nga Marigona Berisha në vlerë 3,142 euro, dhe 2,200 euro nga i akuzuari M.Z. dhe se gjithsej shuma e mjeteve të deponuara prej këtyre klientëve ishte 13,874 euro.

Më pas e njëjta shtoi se nuk ishte realizuar asnjë transaksion bankar ndërmjet llogarive bankare të M.Z. dhe I.K.

Ndërkaq kur i erdhi radha të bëjë pyetje mbrojtësi i të akuzuarit I.K., avokati Ramiz Krasniqi ka propozuar që fillimisht të pajiset me procesverbalin e seancës sotme e pastaj të parashtrojë pyetje për eksperten në seancën e radhës.

Më pas dëshminë e tij e ka dhënë edhe hetuesi tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Mexhit Rexha.

Dëshmitari ka deklaruar se rasti ishte iniciuar nga Policia e Kosovës- Njësia e Hetimeve më 23 nëntor 2017, ndërsa mëe 1 nëntor 2017 tha se kishin pranuar autorizimin e Prokurorisë Speciale për hetim lidhur me veprën penale -shmangie nga tatimi.

Rexha ka shtuar se kishin ardhur deri te konstatimi i shmangies për rastin e ortakërisë  mes I.K. dhe M.Z., ku shtoi se shmangie nga tatimi kishte qenë në total 59,981.85 euro, ndërsa për biznesin e M.Z., Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, prej viteve 2012-2017, tha se kishte qenë në total 81,192.72 euro, ndërsa për biznesin në emër të dyshuarit I.K. në emër “NTP Iliri”, për këtë biznes tha se nuk kishin gjetur asnjë shënim që ka të bëjë me ndonjë shmangie tatimore.

Në pyetjen e të akuzuarit M.Z. se a posedonte dëshmitari një vendim nga ATK-ja se njëri prej ortakëve kishte kërkuar shuarjen e biznesit, dëshmitari ka thënë se kishte ekzistuar një kërkesë nga i akuzuari M.Z.

Tutje dëshmitari tha se të hyrat e kompanisë “I.K dhe M.Z Op”, sipas ATK-së kishin qenë 254,400 euro.

Më pas i akuzuari M.Z ka kërkuar nga hetuesi që të deklarohet për secilin të dëmtuar në këtë proces gjyqësor, mbi 900 prej tyre dhe të deklarohet se sa para kishin dhënë secili prej tyre.

“Ne nuk mundemi ta bëjmë këtë punë, ne i kemi marrë shënimet si të sakta nga prokurori dhe ato i kemi kalkuluar. Prokuroria përmes Policisë i ka siguruar emrat e personave dhe shumat nga sa kanë paguar, ne kemi ftuar disa dëshmitarë për të vërtetuar atë. Me sa mbaj mend kemi intervistuar Blerta Gashin dhe me sa më kujtohet edhe bashkëshortin e saj”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari tutje ka deklaruar se nga tri bizneset, dy prej tyre nuk kishin pasur fare deklarime tatimore.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, i akuzuari I.K. ka kërkuar nga Gjykata që t’ia lirojnë lokalin e tij të sekuestruar,  duke shtuar se nuk ka asnjë të ardhur financiare.

“Jam pa kurrfarë të ardhura, kërkoj të më lironi të paktën lokalin tim që të punoj, dhe për çështje sigurie po ua dorëzoj pasaportën time, vetëm më leni me jetu diqysh”, tha i akuzuari I.K.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se në seancën e radhës do vendoset për këtë  propozim.

Kujtojmë se në fillim të seancës  i akuzuari M.Z. ka kërkuar përjashtimin e avokatit Tomë Gashi i cili e mbron të akuzuarin I.K. së bashku me avokatin Ramiz Krasniqi, pasi sipas tij ishte konflikt interesi, ku M.Z. kishte parashtruar kallëzim penal ndaj avokatit Gashi si dhe kishte bërë edhe ankesë në Odën e Avokatëve të Kosovë dhe se procedura ndaj tij ishte e hapur.

Mirëpo ky propozim u refuzua nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili dhe dy anëtarët Naser Foniqi dhe Fatim Dërmaku.

Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet më 28 tetor.

https://kallxo.com/lajm/deshton-seanca-ndaj-ish-deputetit-ne-rastin-per-mashtrim-me-viza/

Prokuroria e akuzon ish-deputetin dhe dy të akuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim te parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M.Z. dhe I.K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.