Pal Lekaj në gjyq - Foto: KALLXO.com

'53 milionëshi', sot thuhen fjalët përfundimtare

Në Gjykatën e Prishtinës ka filluar seanca e fundit e gjykimit ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, Nehbi Shatrit, Eset Berishës dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Në seancën e sotme palët e përfshira do të japin fjalët e tyre përfundimtare sa i përket këtij procesi gjyqësor.

Ky rast po gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues me kryetaren Violeta Namani dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK