Dështon seanca ndaj ish-deputetit në rastin për mashtrim me viza

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga NISMA Social Demokrate, M.Z., dhe dy të akuzuarve tjerë I.K. dhe E.K. ne rastin e mashtrimit me vizat gjermane.

Shkaku i mosmbajtës së kësaj seance gjyqësore, është mungesa e të akuzuarit I.K.

Gjithashtu kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, bëri të ditur se me vendimin e kryetares së gjykatës janë ndërruar  edhe anëtaret e trupit gjykues, ku tash në këtë rast janë gjykatësja Fatime Dërmaku dhe Naser Foniqi.

Prokuroria e akuzon ish deputetin dhe dy të bashkëakuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim te parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M.Z. dhe I.K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjension punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosoves në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.