I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Pse Gjykata Supreme e ktheu rastin e komandantit të UÇK-së 'Molla e Kuqe' në rigjykim?

 

Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në pikën zero çështjen e Remzi Shalës, ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK), i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, i cili ishte dënuar për krime lufte.

Remzi Shala i njohur me nofkën “Molla e Kuqe” akuzohet se në qershor të 1998-ës, bashkë me disa persona tjerë, pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Me 3 korrik të vitit 2019, me 14 vite burgim e kishte dënuar Gjykata e Prizrenit Remzi Shalën nën akuzat për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Përteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Prizrenit, Zenel Përteshi djali i Haxhi Përteshit i përlotur kishte thënë se edhe pse u vonua, drejtësia për babanë e tij të ndjerë arriti në vend.

Rreth 5 muaj më vonë, Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e avokatit mbrojtës Natal Bullakaj, por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatë Themelore në Prizren.

Nga 14 vjet burgim sa ishte gjykuar, nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala i ishte zbutur dënimi në 10 vjet burgim.

Arsyet që e kanë shtyrë kolegjin e Apelit që të zbut dënimin është fakti se i akuzuari Remzi Shala është akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës Haxhi Përteshi, por jo për vrasjen e tij.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, në rastin konkret aplikohet Ligji Penal Jugosllav, në fuqi në kohën e kryerjes së vepër penale, si ligj më i favorshëm për të pandehurin, sepse dënimi maksimal që parashihej me këtë ligj ishte 15 vite burgim, apo në rrethanat më të rënda, 20 vite burgim.

“Në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat rënduese për të akuzuarin që kanë ndikuar në lartësinë e dënimit”, thuhet në njoftimin për vendimin e Gjykatës së Apelit.

Mirëpo me 2 mars të këtij viti Gjykata Supreme ka anuluar të dy këto aktgjykime, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se nga Gjykata e Shkallës së parë nuk janë dhënë arsye për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale nga i dënuar Remzi Shala, e posaçërisht fakti i veprimit të të dënuarit dhe se veprimi i tij a kishte të bënte me dhënien e urdhrit apo kishte zbatuar ndonjë urdhër që për marrjen peng të civilëve.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se edhe pse nuk ishte kontestuese rrethana se Remzi Shala  ishte pjesëtar i UÇK-së, gjykata e shkallës së parë në Prizren, nuk ka dhënë arsyetim përkitazi me pozitën e të dënuarit Remzi Shala, se i njëjti a ka pasur ndonjë pozitë në hierarkinë ushtarake në vendin dhe kohën kur ka vepruar dhe më konkretisht rolin e tij në ditën kritike.

Sipas Gjykatës Supreme për të ekzistuar vepra penale për të cilët është shpallur fajtor Remzi Shala është e domosdoshme të plotësohen dy kushte: Së pari do të duhej qartazi të definohej se kryerësi të jetë personi i cili kishte dhënë urdhër që nënkupton një pozitë më të lartë të tij në raport me personat që zbatojnë urdhërin dhe do të duhej të definohej saktësisht urdhërdhënësi për të vepruar kundër popullatës civile, apo që i dënuari të ketë zbatuar një urdhër të marrë nga eprorët e tij.

Në rastin konkret sipas Gjykatës Supreme në rastin ndaj Remzi Shalës, këto dy elemente kanë mbetur të papërcaktuara dhe kjo nuk është në harmoni me vendimin e gjykatës së shkallës së parë meqë nuk janë përshkruar veprimet e të dënuarit Remzi Shala, dhe me këtë kanë mbetur të papërcaktuara elementet e lartpërmendura për të cilat Remzi Shala është shpallur fajtor.

Gjykata Supreme ka gjetur se në ngjarjen kritike përveç të dënuarit ishin edhe 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së të paidentifikuar, kjo nuk e bën të dënuarin Remzi Shala në asnjë rrethanë si udhëheqës të këtij grupi, dhe aq më tepër person që kishte dhënë urdhër personave të tjerë, siç konkludohet në aktgjykimin e shkallës së parë në Prizren të vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

“Në rastin konkret duke u bazuar në aktgjykimin e shkallës së parë, nuk janë theksuar elementet e veprës penale dhe përgjegjësi penale për faktin se si ka vepruar i dënuari, përkatësisht a ka qenë personi që ka urdhëruar apo ka zbatuar urdhrin për të vepruar ndaj të dëmtuarit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme ka kërkuar nga Gjykata e Prizrenit si gjykatë e shkallës së parë që në rigjykim duhet të veproj në pajtim me vërejtjet dhëna, dhe të administrojë provat ekzistuese e sipas nevojës edhe prova tjera e pas kësaj të marr një vendim të drejtë de të ligjshëm në këtë çështje penalo juridike.

Sipas Gjykatës Supreme në rigjykim duhet të eliminohen paqartësitë e zhvillimit të ngjarjes, përkatësisht të vërtetohen saktësisht veprimet e Remzi Shalës, të sqarohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë forma e veprimit të tij se a ka qenë personi që ka dhënë urdhër apo personi që ka zbatuar urdhrat për veprimet e ndërmarra kundër popullatës civile dhe më konkretisht ndaj të të dëmtuarit Haxhi Përteshi.

 

Historia e Gjykimit

Ndaj Remzi Shalës i njohur me nofkën “Molla e Kuqe” me datë 19 tetor 2016 Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë nën dyshimet se në qershor të 1998-ës Remzi Shala, bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Në arsyetimin e tij prokurori ka theksuar se procedura penale është iniciuar nga deklarata e Agron Përteshit, të birit të të ndjerit Haxhi Përteshi, i cili është dëshmitar i asaj se çka kishte ndodhur në natën e 26 qershorit 1998 në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Duhël.

Gjykatës së Prizrenit i janë dashur plotë 987 ditë të gjykojë rastin dhe të arrij në një vendim përfundimtar.

Mirëpo gjykimi ka hasur edhe në pengesa në fazën përfundimtare, kur në dhjetor të vitit 2018 ishte ndërprerë, dhe gjykimi kishte vazhduar në maj të vitit 2019.

Kjo ndërprerje kishte ndodhur për shkak të arratisjes së të akuzuarit Remzi Shala, pasi që i njëjti kishte pranuar ftesë nga ana e Gjykatës Speciale.

Në shkurt të vitit 2019 pasi Shala ishte arratisur dhe kishte munguar në gjykimin ku po akuzohej nën dyshimet për krime lufte, Gjykata e Prizrenit kishte lëshuar një urdhër arrest vendor dhe ndërkombëtar, pasi që Policia e ka pasur të pamundur gjetjen e të akuzuarit Shala.

Me urdhër arrest vendor e ndërkombëtar, Remzi Shala mëngjesin e 24 majti u arrestua në shtëpinë e tij, ndërsa të njëjtën dit Shalës iu caktua masa e paraburgimit.

Policia ishte nisur në shtëpinë e Shalës për të arrestuar djalin e tij për një vepër tjetër penale, kur edhe ishte gjetur Remzi Shala që tha se për një kohë kishte qëndruar i fshehur në Shqipëri.

Në rreth 40 seanca gjyqësore të mbajtura, gjatë gjykimit dëshmitarë kishin deklaruar se Haxhi Përteshi ishte një person humanitar.

“I ka ndihmua çdokujt, ka qenë njeri që miellin prej maxheje e ka hjek për tjetrin, por në fund buka e tij e vrau, sepse fshati ia ktheu me të keq bukën ia ktheu me plumba”.

Në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues Remzi Shala ishte përgjigjur vetëm në pyetje e avokati të tij Natal Bullakaj.

Remzi Shala kishte rrëfeu se në UÇK ishte kyçur me datë 1 maj të vitit 1998, dhe se fillimisht ka shërbyer në fshatin Dobërdëlan.

“Prej aty jam transferuar në fshatin Luzhnicë, nën komandën e Ismet Jasharit, prej ku kemi fillu të zgjerojmë ushtrinë, sepse numri i ushtarëve ka qenë i vogël, unë dhe komandant ‘Guri’ jemi caktuar në grykën e Carralevës”, kishte deklaruar Remzi Shala.

I njëjti kishte mohuar kategorikisht të ketë qenë ndonjëherë në fshatin Duhël.

“Nuk kam qenë kurrë në fshatin Duhël, sepse aty kanë qenë të stacionuar policia dhe ushtria e Serbisë”.

“Molla e Kuqe”, gjithashtu kishte mohuar të ketë njohur ndonjë anëtar të familjes Përteshi.

“Kurrë s’i kam njohur, hiç”, kishte thënë Shala duke insistuar se nuk kishte njohur as takuar asnjë anëtar të familjes Përteshi.

Remzi Shala tha se nuk e kishte njohur as Haxhi Përteshin, për të cilin akuzohet se e ka rrëmbyer.

“Kurrë se kam njohur Haxhi Përteshin, as para lufte e as gjatë lufte, se unë nuk jam marrë me popullatë civile”, kishte përfunduar mbrojtjen e tij Remzi Shala.

Tutje Remzi Shala ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t`u mbrojtur në heshtje, dhe nuk është marrë në pyetje nga ana e Prokurorisë apo e trupit gjykues.